Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas barazimit pa gola në ndeshjen Shqipëri–Serbi të zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se megjithëse pritjet ishin të mëdha dhe rezultati nuk ishte ai i dëshiruari, Kombëtarja shqiptare zhvilloi një lojë më të mirë se kundërshtari.
“Pritjet ishin të mëdha, vëmendja gjithashtu! Me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, mund të kishim marrë të tri pikët nga ndeshja. Andaj, barazimi na la të pakënaqur me rezultatin, por jo me kombëtaren, e cila luajti më mirë se kundërshtari i saj,” shkroi Kurti.
Kryeministri shprehu gjithashtu besimin se Shqipëria do të ketë sukses në përmbyllje të kësaj faze kualifikuese: “Në fund të këtyre kualifikimeve jemi të bindur se Shqipëria do të triumfojë”.