fbpx

Ndihma e Kroacisë në tragjedi: Morën me helikopter Kurtin dhe ministrat, do të paguajnë kostot e të lënduarve në spital

nga Revista Kosovarja

Në orët e hershme të së dielës, një aksident trafiku tronditi Kroacinë dhe Kosovën. Një autobus humbi kontrollin dhe doli nga rruga në Slavonski Brod duke lënë 10 persona të vdekur dhe 44 të lënduar. Të gjithë udhëtarët ishin mërgimtarë të cilët po ktheheshin në Kosovë për pushime.

Përgjigja e shtetit kroat ishte e shpejtë. Ekipe emergjente dolën në vendin e ngjarjes, derisa të lënduarit u dërguan në spital dhe të gjithëve iu ofrua ndihma mjekësore si dhe psikologjike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me tri ministra dhe shefin e kabinetit të Presidentes, u dërguan me helikopterë në spitalin ku po trajtohen të lënduarit. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, veçse kishte arritur në atë vend dhe kishte vizituar pacientët. Ai ishte së bashku me ministrin e Shëndetësisë së Kroacisë, ndërkohë që shteti kroat tanimë kishte ngritur Shtabin Emergjent.

Kurti dhe të tjerët u dërguan me helikopterë të kontingjentit kroat të KFOR-it në Kroaci. Plenkoviq falënderoi Kurtin që arriti me kohë.

“Më erdhi shumë mirë që kryeministri Kurti erdhi kaq shpejt. I falenderoj edhe pilotët e ushtrisë kroate në kuadër të KFOR-it që ndihmuan ta sjellin kryeministrin Kurti këtu. Falenderoj stafin e spitalit, Policinë dhe të gjithë që u gjenden afër personave që perjetuan këtë aksident”, tha Plenkoviq.

Pas vizitës në spital, Kurti falënderoi Plenkoviqin dhe të gjithë stafin shëndetësor të spitalit të Slavonski Brod për kujdesin ndaj udhëtarëve të autobusit që u aksidentua. Ai tha se të gjithë janë në duar të sigurta dhe se së bashku mund ta kapërcejmë këtë fatkeqësi.

“Me këtë rast dua të falenderoj kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, ndihmë e shpejtë, reagimin urgjent dhe trajtimin e pacientëve këtu në spital por edhe udhëtarëve të tjerë të cilat janë në duart e sigurta të mjekëve dhe psikologëve. Këtu i vizitova të gjithë pacientët nëpër dhomat e spital përfshirë edhe ata dy që janë në kujdesin intensiv dhe falenderoj edhe menaxhmentin e spitalit dhe profesionistët shëndetësor për kujdesin e treguar dhe shërbimin e shkëlqyer”, tha ai para gazetarëve.

Kryeministri i Kroacisë tregoi edhe gjendjen e të lënduarve.

“Vetëm një nga të lënduarit është aktualisht në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur këtu në spitalin në Slavonski Brod ose në një shtëpi me konvikt, ata që nuk janë të lënduar”, tha Plenkoviq.

Më tej ai ka shtuar se do të ndihmojnë në kostot e shpenzimit dhe gjithçka tjetër.

“Nga kostot e qëndrimit këtu, deri tek organizimi i udhëtimit në Kosovë për të gjithë pacientët, sepse duke pasur parasysh situatën, jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje të largohen nga Sllavonski Brod në të njëjtën kohë. Ne do të mbulojmë gjithçka”, tha kryeministri kroat.

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]