Prindërit e Agon Musliut, të riut nga Gjilani i cili kishte ardhur nga Gjermania dhe ishte dërguar në karantinë në konviktet e Qendrës Studentore, ku më pas dyshohet se kishte bërë vetëvrasje, sot në njëmujorin e vdekjes së tij, kanë shkuar në vendin ku ka vdekur djali i tyre
Kanë shkuar tek vendi ku djali i tyre dyshohet se u vetëvra.
Me një buqetë me lule e fotografinë e djalit në duar, prindërit e Agon Musliut kanë shkuar të konviktet në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Ata kanë kujtuar Agonin në njëmujorin e vdekjes, derisa ende nuk janë zbardhur rrethanat e vdekjes.
Babai i Agon Musliut kishte deklaruar se djali i tij ka pasur probleme shëndetësore.
Sipas tij, fajtor për atë se çka ka ndodhur janë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Pas këtij rasti, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se personalisht e ka menduar dorëheqjen.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka preferuar të flasë për shkak se është sulmuar nga prindi, duke kërkuar që të presin hetimet e organeve të drejtësisë.
Ndërkohë, në Prokurori nuk kanë pranuar të japin detaje rreth këtij rasti, duke u thirrur në ndjeshmërinë e rastit.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, i ka thënë Gazetës Express se për shkak të veprimeve hetimore, nuk mund të japin detaje në këtë fazë.
“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe veprimeve hetimore të cilat është duke i ndërmarrë Prokuroria Themelore në Prishtinë, në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna të tjera, përpos asaj që rasti është në hetim”, ka thënë Ulaj për Express.
Agon Musliu dyshohet se më 3 maj ka kërcyer nga konvikti ku ishte duke qëndruar i karantinuar pas kthimit nga Gjermania në Kosovë.