fbpx

Nëna që humbi tre djemtë e burrin në Luftën e Bosnjës: Çdo ditë shikoj nga varrezat, kjo më vret

nga Revista Kosovarja

Dy djemtë e zonjës Mejra Djogazit, Omeri dhe Munibi, u vranë në Masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, gjatë Luftës së Bosnjës. Asaj iu vra edhe një djalë tjetër dhe bashkëshorti gjatë konfliktit. Në kohën e rigjykimit të liderit ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, Mejra thotë se ai kurrë nuk duhet të jetë i lirë.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Mejra Djogaz i viziton pothuajse çdo ditë varret e djemve të vet në Qendrën Përkujtimore “Potocari”, ndonëse mund t’i shohë varret edhe nga shtëpia, sepse jeton afër kësaj qendre, shkruan Free Europe.

“Çdo mëngjes, e bëj kafenë për vete dhe ulem këtu, pastaj kthehem prapa dhe i shikoj varrezat, ata gurë të bardhë të varreve. Kjo më vret”, thotë ajo.


Foto: Radio Evropa e Lirë

Muniri ishte 21 vjeç, ndërsa Omeri vetëm 19. Nëna e tyre tani kujton se si forcat serbe të Bosnjës i ndanë burrat dhe djemtë nga gratë. “Mlladiqi hyri në fabrikën e baterive. Ishte dy metra afër meje. Tha se të gjithë do të kalonim në mënyrë të sigurt. Kur po dilmin, kishte bërtima në arat me misër, zëra që s’mund t’i imagjinoni”, rrëfen zonja Djogaz.

Munir Djogaz, 21 vjeç, dhe Omer Djogaz, 19 vjeç, të vrarë në Masakrën e Srebrenicës (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Ushtarët e Mlladiqit vranë më shumë se tetë mijë burra e djem boshnjakë. Pas luftës, autoritetet e filluan punën për identifikimin e mbetjeve të trupave. Kufomat ishin hedhur në disa varreza masive.


Foto: Radio Evropa e Lirë

“Më 2009, më informuan për djalin tim, Omerin, që është gjetur në Kalesija, Snagovo. Një muaj e gjysmë më vonë, më treguan se është gjetur edhe Munibi, por ai u gjet në dy varreza masive dhe përsëri trupi i tij nuk ishte i tëri”, tregon me lotë në sy nëna boshnjake.

Ajo foli pak orë para se të merrej vendimi përfundimtar në rigjykimin e famëkeqit Ratko Mlladiq, i cili më 2017 ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. “Unë pres që Ratko Mlladiqi kurrë të mos dalë nga burgu”, tha në fund Mejra.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]