Nëse nëna ose babai kanë flokë kaçurrela, a do të thotë që edhe fëmija do të trashëgojë këtë gjen? Ky është një pyetje që shumë prindër e bëjnë
Një pjesë e madhe e pamjes sonë është kombinim i ADN-së së prindërve. Tekstura dhe ngjyra e flokëve tuaj nuk bëjnë përjashtim. Informacionet gjenetike të ngulitura në trupin tuaj krijojnë formulën se si do të duket floku juaj gjatë jetës.
Nëse të dy prindërit kanë lindur me flokë kaçurrela, ka shumë gjasa që edhe fëmija të ketë flokë kaçurrela.
Flokët kaçurrela konsiderohen një tipar “dominant” gjenetik, ndërsa flokët e drejtë konsiderohen “recesiv”. Thjesht, kjo do të thotë se nëse njëri prind ka gjenin për flokë kaçurrela, ndërsa tjetri për flokë të drejtë, fëmija më së shumti do të ketë flokë kaçurrela.
Çfarë i bën gjenet dominante ose recesive?
Të dy prindërit japin dy informacione gjenetike, të quajtura alele, që përcaktojnë tipin e flokëve tuaj. Dy alelet nga babai juaj biologjik kombinohen me dy alelet e nënës biologjike, duke ju dhënë gjithsej katër. Gjeni dominant është ai që mbizotëron mbi gjenin recesiv kur dy karakteristika të ndryshme ekzistojnë në një pjesë të ADN-së.
Gjeni dominant do të jetë tipari që do të shihet te personi që ka të dy karakteristikat në ADN-në e tij. Gjeni recesiv është pjesë e informacionit gjenetik që nuk shihet, por që mund ta bartni, shkruan Healthline.
Cili gjen bën që flokët të jenë kaçurrela?
Nuk ekziston domosdoshmërisht një gjen i vetëm që bën që flokët tuaj të jenë kaçurrela. Tipi i flokëve është rezultat i mënyrës se si kombinohet ADN-ja e prindërve tuaj, përveç përkatësisë suaj etnike.
Studimet sugjerojnë se njerëzit me prejardhje të ndryshme kanë gjene të ndryshme që përcaktojnë tipin e flokëve të tyre. Ka disa tipare njerëzore dhe kushte shëndetësore që përcaktohen nga gjene që kalojnë në kromozomet seksuale (X dhe Y). Kjo quhet tipar i lidhur me gjininë.