45 personave iu është ngritur aktakuzë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht.
“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai.
“Për ta ngritur aktin na u është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve që janë kryer jashtë vendit, ishte shkaku kryesor i vonimit të ngritjes së aktakuzës”, shtoi ai.
Në orët e para të 24 shtatorit të 2023-tës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, policia kishte vërejtur se ishin vendosur dy kamionë me anë të cilëve ishte bllokuar rruga.Gjatë ndërhyrjes së policisë, grupi kriminal serbë kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, me ç’rast ishte vrarë polici heroi Afrim Bunjaku, si dhe ishte plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.