Asaj nuk i duhen epitete klishe: “e mrekullueshme”, “e fortë”, “e guximshme”, “e jashtëzakonshme”.
Majlinda Sulejmani i ka të gjitha dhe nuk jeton për epitete, për famë e lavde. Punon fuqishëm në disa drejtime, duke tentuar që gjithë potencialin e saj intelektual dhe njerëzor ta vë në shërbim të gjërave të mëdha e të mira.
Është nga ato femra që sa e sheh këtu e sa atje, që nuk ndalen së punuari dhe se dita për të do të duhej të ishte më shumë se 24 orë.
Majlinda Sulejmani, shqiptarja e suksesshme e fushës së mjekësisë, politikës dhe me shpirt human, që nuk ndalon së qeni pranë atyre që kanë nevojë, shpalosë jetën e saj në “Kosovare”…
Majlindë, ju jeni një femër e zonja e me shumë të arritura. Por, si do ta prezantoje veten për ata që, ndoshta, nuk të njohin?
– Jam Majlinda Sulejmani, e njohur nga angazhimi im në fushën e politikës, humanizmit, shëndetësisë dhe artit. Jam modeste, tolerante, e hapur, direkte, por konsekuente në shumë gjëra që duhen të kenë respekt dhe transparencë.
Humanizmi dhe ndihma për të tjerët më karakterizojnë si person, meqë asnjëherë nuk ndalem së ndihmuari njerëzit, pa marrë parasysh se çfarë dhe kush janë.
Gjatë gjithë kohës jap ndihma të ndryshme, pa cekur fonde apo persona. Më dhemb shpirti kur dëgjoj që në shumë rajone të Kosovës ka varfëri të skajshme, andaj nuk mund ta ndalë zemrën dhe, normalisht, nuk hezitojë e i ndihmoj pa masë.
Jeni shqiptare e rritur në Diasporë, e shkolluar dhe e integruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Fillimisht, na fol për shkollimin tënd?
– Jam e lindur në Gjilan, por kur isha vetëm pesë muajsh kishim pas kaluar në Zvicër, atje ku ishte babai im.
Për mua ishte e vështirë ta kuptoja gjuhën gjermane deri në klasën e katërt, sepse në shtëpinë tonë flitej vetëm shqip dhe normalisht nuk isha e integruar.
Deri në klasën e katërt vetëm fjalën “A bën?” e kuptoja. Por, me vullnet dhe vendosmëri arrita të mësoj gjuhën gjermane, italiane, angleze, serbokroatishte, frënge, latinishten dhe normalisht shqipen.
Shkollën fillore dhe të mesme i kam kryer në Widnau dhe, pastaj, isha në studime të shkollës së mesme të mjekësisë.
Tutje, vazhdova edhe shkollimin si kontabiliste dhe ia dola me sukses.
Pastaj, punova si teknike e mjekësisë në degën e emergjencës. Nuk u ndala këtu dhe vazhdova shkollimin, duke u bërë profesoreshë e shkollës së mjekësisë.
Më pas i fillova studimet e Menaxhmentit Shëndetësor në qytetin Saint Gallen, duke i përfunduar me notën më të lartë nivelet “Bachelor” dhe “Master” në këtë drejtim.
Kam punuar si menaxhere e ambulancës, si zëvendëse e Qendrës së Psikiatrisë dhe për momentin mbaj postin e menaxheres në Klinikën Alternative.
A kishe pengesa, a ndërhynte familja sa i përket shkollimit, avancimit dhe kyçjes tënde në disa fusha njëkohësisht, apo ishin mbështetës?
– Pengesa nga familja nuk kisha, por ata donin që fokusin ta vendosja plotësisht në fushën e mjekësisë. E, meqë familjarisht jemi mjekë dhe mjeke, sigurisht që edhe për mua mjekësia ishte inspirim.
Ama, unë isha e fokusuar edhe në politikë dhe në punë humanitare. Kjo më ka përmbushur edhe më shumë dhe më ka bërë të studioja edhe më me pasion në fushën e mjekësisë.
A të kujtohet puna dhe angazhimi i parë dhe çfarë ndjesie ke sot kur e kujton?
– Në Klinikën Onkologjike e kisha një rast që edhe sot e kujtoj me lot e emocione. Ishte një pacient i moshës 21 vjeç, pra i moshës sime asaj kohe, i cili e kishe një sëmundje të pashërueshme, që më parë e kishte humbur edhe të ëmën nga e njëjta sëmundje.
Krijova miqësi dhe çdo mëngjes i bëja trajtim dhe ja dërgoja gazetën. Kur ndërroi jetë unë nuk isha aty dhe fjalët e fundit të tij kishin qenë rreth falënderimit ndaj meje dhe, gjithashtu, kishte kërkuar të merrja pjesë në varrimin e tij.
E kujtoj me shumë dhimbje, pasi ishim të një gjenerate, andaj më ka prekur emocionalisht.
Majlindë, a mund t’i marrim angazhimet tua me radhë?
– Për momentin jam menaxhere në Klinikën e njohur ndërkombëtarisht për mjekësinë biologjike-integrative në Zvicër.
Në bazë të njohurive dhe përvojës në mjekësinë konvencionale dhe plotësuese, klinika trajton, kryesisht, të gjitha llojet e sëmundjeve kronike dhe onkologjike. I udhëheq afro 50 punëtorë.
Puna ime e dytë është profesoreshë në Shkollën e Mjekësisë.
E, puna e tretë që bëj është këshilltare për persona me aftësi të kufizuara dhe përkthyese në disa institucione.
Po ashtu, kam firmën time personale “Majlinda Sulejmani Medical Consulting”, që përben menaxhimin e ordinancave dhe kontabilitetin e ordinancave në Zvicër. Qëllimi i firmës sime është që t’i punësoj gratë dhe nënat vetushqyese nga Kosova dhe të jenë të pavarura.
Jam e lidhur me disa kompani, të cilave u udhëheq sektorin e marketingut.
E, sa i përket aspektit të humanizmit, jam në bordin menaxhues në “Fundjavë ndryshe Swiss”.
Ju merreni edhe me politikë, a?
– Si 17-vjeçare i jam futur politikës. Fillimisht nuk e mora shumë seriozisht, pasi isha në shkollën e mjekësisë. Gjithsesi, politika sot zë vend në jetën time, pasi jam kryetare e partisë së mjedisit St. Margrethen, jam në komisionin e shëndetësisë dhe në kryesinë e Partisë së grave të kantonit tonë.
E ke menduar, ndonjëherë, inkuadrimin në skenën politike në Kosovë?
– Kam pasur dhjetëra oferta nga shumë parti politike, por u kam thënë jo, pasi dua të mbetëm neutrale. Jam e hapur për konsulta, por nuk kam pretendime të jem pjesë e fushës së politikës shqiptare, apo të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës.
A keni pasur rast t’u ndihmoni shqiptarëve në aspektin shëndetësor?
– Kam me qindra pacientë dhe klientë shqiptarë që më respektojnë shumë për punën, korrektësinë dhe shërbimin e mirëfilltë.
Siç thashë, jam tejet humane, dëshira ime është të ndihmoj, gjë të cilën për shqiptarët e bëj me zemër e shpirt.
Dhe, lëre që ndihmoj për mjekësi, por në mënyrë vullnetare merrem me plotësimin e qindra formularëve, shkrimin e ankesave e kërkesave të shqiptarëve tanë etj.
Në çfarë gjendje e sheh mjekësinë në Kosovë?
– Nga Federata e mjekëve shqiptarë në Evropë, kryetare e së cilës është mikja ime, Dr. Aurora Dollenberg, kam pasur rastin t’i njohë shumë mjekë dhe mjeke nga Kosova, të cilët më kanë habitur me talentin, aftësinë dhe horizontin që kanë pasur dhe kanë për të arritur në fushën e mjekësisë dhe në shkollim, në përgjithësi.
Për momentin, në Kosovë mungon digjitalizimi i shëndetësisë, infrastruktura, sigurimet, por që uroj të zgjidhen me kohë.
Është shumë e dhimbshme kur shoh që shumë mjekë po ikin nga Kosova.
Dua të inkuadrohem në disa projekte shëndetësore, që njohuritë e mia t’i shërbejnë konceptit të shëndetësisë së Kosovës.
Keni pasur edhe disa iniciativa humanitare. Mund të flasim për to?
– Për momentin jam në kryesinë e bordit “Fundjavë ndryshe Swiss”. Gjithashtu, jam e inkuadruar në projektin e këpucëve ortopedike nga firma “Joya” në Zvicër, ku jam imazh i kampanjës publicitare dhe kam dashur që paga ime aty të shndërrohet në donacion për Kosovën, pra në sjelljen në vendin tonë të një kontingjenti këpucësh të tilla në spitalet e Gjilanit dhe Bujanocit, nga ku e kam prejardhjen.
Sepse, guri më së miri peshon në vend të vet…
Si është të jesh femër dhe të jesh kaq e përfshirë në disa drejtime dhe punë me mjaft përgjegjësi?
– Unë nuk mendoj se gjinia është përcaktuese e aftësive ose suksesit. Femrat duhet ta dinë që janë shumë të forta dhe mund t’i minimizojnë të gjitha paragjykimet eventuale.
Për fat, më të mirë dhe më të fortë më bën edhe menaxhmenti im në Kosovë dhe Zvicër, që m’i menaxhojnë të gjitha terminët dhe nuk më lënë hapësira për jokorrektësi.
Kur personalisht kryej punë të mëdha dhe me kaq përgjegjësi, jam mjaft e lumtur, dyfish më e lumtur që, ndër të tjerash, e tregoj forcën e femrës.
A mendon se do ta kishe këtë sukses edhe sikur të ishe në Kosovë?
– Thuajse çdo muaj udhëtoj për në Kosovë, por ajo që më pengon shumë këtu është jokorrektësia në orare. Gjithashtu, premtimet e rrejshme dhe korrupsioni i disa figurave politike në Kosovë është shqetësuese.
Jam tejet transparente, andaj nëse do të isha në Kosovë do të isha e tronditur nga disa gjëra të cilat ndodhin këtu.
Ndërkohë, pavarësisht se sa strikte janë punët tua, ti ke një reflektim tejet pozitiv për jetën dhe gjërat që të rrethojnë. Si ia del?
– Unë e shoh jetën me pozitivitet, pasi që çdo gjë që ndodh në jetë, ndodh për një arsye. Nëse diçka më ndodh papritmas, e kujtoj ditën në vijim që do të bëhet mirë.
Pse të nervozohem ose ta shoh jetën me negativitet?
Me rëndësi jam shëndosh e mirë. Të gjitha blihen, por lumturia dhe shëndeti janë pasuria më e madhe që nuk kanë çmim.
Kush ose çka të motivon në jetë?
– Në jetë më motivojnë, së pari, prindërit, që i kam ende në krahët e mi dhe bashkë me familjen time të ngushtë dhe të gjerë i gëzohen secilit sukses që kam.
Pastaj, pacientët që vijnë me dhimbje dhe dalin të buzëqeshur nga mjekimi im.
Kur e sheh veten në pasqyrë, cili është mendimi i parë që të vjen në mend?
– Se edhe sakrificat që i pata në jetë më bënë më të fortë, më bënë të jem kjo që jam sot. Beso në veten, reflekto sinqeritetin tënd pozitiv!
A ka mbetur diçka pa u thënë?
– Ëndrra ime nga fëmijëria ka qenë të isha pjesë e revistës prestigjioze “Kosovarja” dhe ja ku jam, për të folur për sukseset e mia…
Faleminderit dhe mbarësi juve!
Nderim Neziri