Dogana e Kosovës ka njoftuar sot se ka parandaluar një rast të tentim-kontrabandës në pikën doganore të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë kontrolleve të rregullta që kryhen ndaj pasagjerëve dhe bagazheve.
Sipas njoftimit të tyre, një shtetase e huaj është kapur duke transportuar në mënyrë të paligjshme 100 steka cigare të markës Malboro me banderola të Shqipërisë, të cilat ishin fshehur në dy valixhe personale.
Pas këtij rasti, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë, duke konfirmuar se cigaret janë sekuestruar, ndërsa ndaj të dyshuarës janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore.
“Sot rreth orës 10:00, bazuar në informacione relevante, nga zyrtaret doganor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës, në shkuarje me fluturimin për në Mbretërinë e Bashkuar është ndal një person/udhëtare femër. Janë ndërmarr të gjitha masat e kontrollit nga autoritete dhe pas hapjes së valixheve në prezencë të udhëtares në fjalë janë gjetur 100 boksa (shteka) me cigare Malboro. Sasia e cigareve është sekuestruar nga ana e Doganës së Kosovës dhe të njëjtit po merren me rastin.”, thuhet në njoftimin e Policisë.