Java e parë e Shkurtit do të na sjellë stabilizim të motit dhe ngritje të ndjeshme të temperaturave.
Pas masave të fuqishme ajrore ciklonike të ditëve dhe javëve të kaluara më në fund do të kemi një depërtim të masave të thata ajrore anticiklonike. Këto masa ajrore do të sjellin shumë rreze diellore, por edhe vranësira të herëpashershme, erëra të ngrohta jugperëndimore dhe jugore si dhe shumë pak reshje atmosferike. Kjo është një lajm i mirë për shkak të reshjeve mjaft intensive të ditëve dhe javëve të kaluara.
Pra, edhe sot (E Martë) do të kemi vranësira dhe riga lokale shiu të cilat nuk do të zgjasin shumë.
Nga e mërkura më shumë rreze diellore dhe ngritje progresive të temperaturave. Kah fundi i javës priten ngritje të mëtutjeshme të temperaturave dhe ato maksimale fare lehtë mund të prekin shifrën 20 gradë Celsius. Në Shqipëri temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 23-24 gradë Celsius në disa vise bregdetare.
Krejt në fund të javës një ciklon i fuqishëm do të krijohet në Spanjë dhe Francë dhe ky ciklon do të fillojë të depërtojë në drejtim të Italisë dhe eventualisht edhe në drejtim të rajonit tonë. Si pasojë do të kemi erëra jugore dhe jugperëndimore të cilat edhe më shumë do të ndikojnë në ngritjen e temperaturave. Reshje mund të kemi krejt në fillim të javës tjetër./Meteoballkan