Një vit pas ndarjes nga jeta të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, veprat dhe trashëgimia e tij letrare po rivihen në qendër të vëmendjes në një seri ngjarjesh kulturore në Tiranë, shkruan Gazeta Sinjali.
Versionet origjinale të kopertinave të librave të tij të botuara para viteve ’90 janë nxjerrë nga arkivat e Bibliotekës Kombëtare dhe shtëpisë Kadare për t’u ekspozuar në studion-muze të shkrimtarit, duke u kthyer në një homazh të gjallë për një nga figurat më të mëdha të letërsisë shqipe, raporton A2 CNN.
Veç kësaj, në ambientet e muzeut janë paralajmëruar edhe lexime të posaçme për fëmijë, në një përpjekje për t’ia afruar veprën e Kadaresë brezave të rinj. Ndërkohë, në ambientet e Kryeministrisë është prezantuar një vepër e re me 100 portrete të shkrimtarit, që dokumenton përmes fotografive jetën dhe rrugëtimin e tij krijues.
Që prej 1 korrikut të vitit të kaluar, kur Kadare u nda nga jeta, kjo datë është kthyer në simbol të përkujtimit dhe nderimit për figurën e tij. Në javën e parë të korrikut, emri i Ismail Kadaresë është padyshim kryefjala e ngjarjeve artistike dhe letrare në vend.