fbpx

Njësia Speciale e Policisë “blindon” zonën rreth QKUK-së, pasi mori kërcënime për sulm

nga Revista Kosovarja

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke patrulluar në oborrin e QKUK-së për të siguruar këtë zonë, pas një kërcënimi për sulme që ka marrë sot Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve.

“Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarr masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve”, ka thënë Kelani.

Ndërkaq, siç tha ai Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton çdo informacion apo rast të raportuar, të çfarëdo natyre apo vepre penale.

“Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend”, tha ndër të tjera Kelani.

Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Në pamje shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët po e sigurojnë zonën rreth QKUK-së.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]