fbpx

Njomza Maksutaj-Tolaj, gruaja e boksierit Azem Maksutaj, kampione në jetë

nga Revista Kosovarja

Njomza Maksutaj-Tolaj është modeli i femrës ideale në të gjitha dimensionet. Profesioniste e jashtëzakonshme në fushën e financave, bashkëshorte e nënë e dedikuar dhe grua me stil e elegancë të lakmueshme.
E rritur në Zvicër, e integruar në mënyrën më të mirë të mundshme, Njomza Maksutaj-Tolaj paraqet shembullin e gruas shqiptare në Diasporë me status dhe pozicionim tejet të mirë në sferën shoqërore e profesionale.
Dhe, sado që është përpjekur të rrijë larg syrit të publikut dhe medieve, ajo e ka pasur thuajse të pamundur të qëndrojë gjithmonë në hije, shkaku se është bashkëshortja e njërit prej sportistëve më të trofeshëm shqiptar në botë, boksierit Azem Maksutaj, i njohur edhe si “Shqiponja e zezë”.
Azem Maksutaj mbanë mbi supet e tij hiç më pak se katërmbëdhjetë trofe bote në kikboksin dhe taiboksin profesional.
Imazhi i këtij numri të “Kosovares” flet për veten, bashkëshortin e saj të suksesshëm e të famshëm dhe për shumë të pathëna…

Na fol pak për veten, për Njomza Maksutajn që duhet ta njohim, vërtet?
– Jam bashkëshorte, nënë e dy djemve të mrekullueshëm dhe grua e angazhuar profesionalisht. Jam në bordin ekzekutiv të dy kompanive, gjegjësisht bankave private.
Jam grua e përkushtuar ndaj familjes, ambicioze në përgjithësi dhe e dua jetën. Më pëlqejnë kulturat dhe historitë e ndryshme dhe pasioni im i madh është ta kërkoj e eksploroj botën.
Jam femër e emancipuar që impresionohem nga historitë e femrave që arrijnë diçka në jetë, e të cilat i përkrahë plotësisht.
Aty ku kam ndikim mundohem të ndryshoj për të mirë, kam dëshirë të ndihmoj aty ku ka nevojë.

Je nga një familje intelektualësh, që, pa dyshim, ka ndikuar në formimin tuaj individual. Si e komentoni këtë?
– Për prindërit e mi ka qenë gjithmonë primare shkollimi dhe dituria, por duke e ruajtur mentalitetin, kulturën dhe traditën shqiptare.
Jam rritur larg vendlindjes, por prindërit janë kujdesur që gjithmonë të na këshillojnë dhe edukojnë sipas kulturës shqiptare. Babai, prej viteve 80 e deri pas lufte, ka qenë me angazhime të ndryshme politike.
Si fëmijë, disi, kemi qenë të “detyruar” të merreshim me tema të ndryshme rreth Kosovës, të angazhoheshim rreth vendit tonë, të bëheshim pjesë e angazhimeve të ndryshme të Diasporës për të ndihmuar vendlindjen, të bëheshim pjesë e demonstratave etj.
Çdo të mërkurë, pasdite, kam shkuar në shkollën shqipe në Zvicër tetë vjet rresht, e që sot jam shumë e lumtur, sepse kam mësuar ta shkruaj gjuhën tonë dhe, gjithashtu, kam mësuar për historinë tonë shqiptare.
Jemi popull i vogël, andaj është e rëndësishme të kujdesemi që të mos asimilohemi.

Pra, prindërit duket se të kanë frymëzuar shumë, a?
– Duke u nisur nga rëndësia e shkollimit, më kanë motivuar e mësuar të mos dorëzohem dhe të luftoj për të drejtat e mija, të jem e emancipuar dhe e pavarur.
Kemi mësuar nga prindërit se duhet trajtuar të tjerët siç kishim dashur të na trajtojnë ata neve.
Prindërit na kanë mësuar dhe frymëzuar për ta dashur vendin tonë, për të qenë krenarë me rrënjët tona.

Sot, si e kujton fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë e hershme?
– Jam, vërtet, e bekuar, sepse kam pasur një fëmijëri shumë të mirë. Jam rritur me gjyshe dhe me gjysh (nga ana mamit), meqë prindërit e mi kanë qenë të dy të punësuar derisa jemi detyruar ta lëshojmë Kosovën për shkak të situatës së vështirë politike në vend.
Është bekim të ritesh me gjyshër, siç i kam pasur unë. Më kanë mësuar shumë gjera dhe kemi jetuar në një harmoni të paharrueshme.
Megjithëse kam qenë e vogël, ende kam shumë kujtime të bukura nga fëmijëria e hershme. E kam pasur një lidhje të jashtëzakonshme me gjyshen time, e cila për fat të keq ka ndërruar jetë para tre vjetësh. Dhe, me vdekjen e saj pothuajse është varrosur një pjesë e fëmijërisë sime.

Sa ishte sfiduese të integroheshit në një vend si Zvicra?
– Fillimi nuk ishte i lehtë, sidomos në aspektin e integrimit, pasi ishte një kulturë e re për ne, duhej ta mësonim gjuhën, të krijonim shoqëri të re etj.
Besoj se në atë kohë ka qenë e vështirë edhe për prindërit, njëjtë si për ne fëmijët.
Si shumica e prindërve në atë kohë, edhe të tanët kanë jetuar me shpresën për t’u rikthyer një ditë në Kosovë.
Por, me shpërthimin e luftës në Kosovë nisën të shuheshin shpresat për rikthim. Gjithsesi, mendoj se gjeneratat më të vjetra besoj se e kanë pasur shumë më të vështirë integrimin.
Sot, për mua, Zvicra është vendlindja e dytë, pasi këtu e kam krijuar jetën time. Është krejt normale që një pjesë e zemrës sime është përherë në Kosovë. Them se të rritesh në dy kultura të ndryshme është barrë dhe bekim, njëkohësisht, siç quhet edhe libri i shkrimtares Shqipe Sylejmani.

Ndërkohë, në rininë tuaj e njohët Azem Maksutajn, emër i artë i sportit. Si ndodhi?
– Azemin e kam njoftuar qëkur isha 18 vjeçe. Jemi njoftuar në sport, jemi dashuruar dhe, pastaj, kemi bashkëjetuar.
Më duhet të pranoj se bota e sportit luftarak ishte diçka e re për mua…

Thonë se pas një burri të suksesshëm gjithmonë qëndron një grua e zonja dhe ky është pikërisht rasti juaj apo jo?
– Kur e ke një burrë të suksesshëm, duhet të jesh edhe ti e zonja që t’i dalësh në çdo sfidë. Unë kam qenë dhe jam adhuruesja më e madhe e Azemit, sepse e kam parë dhe e di se çfarë domethënie ka ky sport për të. Për mua sporti ishte thjesht sport, e për të ishte vetë jeta.
Shpesh ka qenë e vështirë ta mbështesë në meçe të ashpra luftarake, sidomos duke e ditur se nuk e pranon asnjëherë dorëzimin. Gjithmonë kam shkuar me frikë t’i përcjellë meçet e tij.
Azemi e ka pasur një karrierë të gjatë e të bujshme. Andaj, për sportistin është tejet e vështirë që të vendosë ta përfundojë karrierën dhe njëjtë ka ndodhur edhe me bashkëshortin tim.
Pasi u dha premiera e filmit të tij në kinema, ia bëra me dije se ishte koha ta përfundonte karrierën dhe ky ishte një mision i vështirë për mua dhe për të. Gjithsesi, pasi është bërë baba, e ka kuptuar edhe vetë se motivimi dhe vullneti më nuk ishte i njëjtë.

Po, si është të jesh bashkëshortja e Azem Maksutajt?
– Nuk besoj se marrëdhënia jonë ndryshon shumë nga marrëdhëniet e të tjerëve. Normalisht, më është dashur të mësohem me afeksionin e njerëzve ndaj Azemit, pasi ka shumë persona që e adhurojnë. Gjithsesi, jam shumë krenare, ani pse më është dashur kohë për ta akceptuar sjelljen e njerëzve kur e shohin Azemin, i cili me arritjet e tij në fushën e sportit, sigurisht, e ka merituar simpatinë dhe respektin që gëzon.

Të jetosh me një kampion është sfidë, privilegj, apo?
– Janë të gjitha bashkë. Azemi më jep gjithçka nga vetja dhe unë krenohem me atë se çfarë bën për ne: mua dhe dy djemtë tanë. Është baba tejet i dedikuar.
Jam krenare me fitoret e tij dhe me faktin se sa të lumtur i ka bërë shqiptarët në kohët më të vështira.

Sa është mirëkuptues Azemi si bashkëshort, a të ndihmon?
– Është mirëkuptues dhe mbështetës, por ka mjaft dëshirë të bëjë surpriza. Më jep fuqi dhe kurajë t’i dal çdo gjëje, duke u përpjekur kështu të më bëjë gruan më të lumtur në botë.
E mira është se i kemi të njëjtat mendime rreth edukimit të fëmijëve tanë. Unë përkujdesem më shumë në aspektin e shkollimit të tyre, ndërkaq Azemi për hobet që kanë.
E përkrahim njëri-tjetrin dhe rrallë vendosim për ndonjë gjë pa u konsultuar bashkë.

Pak më shumë për djemtë tuaj?
– I kemi dy djem, Leandro Leon, 15 vjeç dhe Klevisin, 9 vjeç.
Leandro është në shkollën ekonomike dhe luan për U16 FC Winterthur Futball. Klevisi është në shkollë fillore edhe, gjithashtu, merret me futboll dhe vrapim. Koha që e kalojmë me fëmijët është ndër gjërat më cilësore për ne.
Unë dhe bashkëshorti im shumë shpesh i përcjellim djemtë në aktivitetet e tyre sportive, madje edhe në trajnime.

Njomzë, për ata që nuk e dinë, a mund të na thuash ku është i orientuar angazhimi juaj momentalisht?
– Momentalisht jam në bordin ekzekutiv të tri firmave në Zvicër dhe në Gjermani, ku udhëheq rreth 40 punëtorë.
Përkujdesëm për menaxhimin e pasurisë së sportistëve të ndryshëm, si dhe të njerëzve të pasur (private banking & real estate).
Gjithashtu, i ndihmoj bashkëshortit tim në menaxhimin e shkollave sportive që ai i udhëheqë. Mundohem që, pavarësisht angazhimit intensiv profesional, të gjejë kohë edhe për familjen. Kohën e lirë ua përkushtoj fëmijëve tanë.

Jeni model i gruas shqiptare në Diasporë me status dhe pozicionim tejet të mirë në sferën shoqërore e profesionale. Si ia del në krye?
– Nuk ishte dhe nuk është aq e lehtë. Në jetë gjithmonë duhet të mësosh të bësh kompromise. Duhet t’ia bësh vetes me dije se nuk mund t’i kesh të gjitha përnjëherë. Nëse orientohesh shumë rreth punës e pasurimit, duhet ta dish se nuk do të kesh kohë për veten e familjen. Kur të krijosh familje, duhet ditur se disa gjëra, dalja e hobi, mund të mohohen në një masë.
Personalisht, përherë kam provuar ta krijojë një balancë të shëndoshë në jetë. Them se më ka ndihmuar edhe reflektimi pozitiv, me të cilin edhe i edukoj fëmijët, por edhe mbështetja pa kusht e bashkëshortit, pasi gjatë mungesës sime ai kujdeset për fëmijët dhe familjen.
Gjatë karrierës aktive të tij i kam ndihmuar unë, e tani më ndihmon ai mua…

Sa sfiduese ka qenë rruga drejt suksesit?
– Si e huaj në një vend, je e detyruar të bësh dyfishin e angazhimit për të arritur të njëjtin sukses me një vendas. Sidomos, si femër është akoma më e vështirë të integrohesh në një lami siç është e financave, e cila mbizotërohet nga gjinia mashkullore.

Megjithatë, shumë rrallë jeni ekspozuar në medie. Pse?
– Nuk jam tip i njeriut që e kërkon ose e pëlqen ekspozimin e tepërt. Ndoshta e kam edhe pak prej prindërve të mi që gjithmonë kanë qenë modest dhe na e kanë kultivuar këtë ndjenjë.
Normalisht, si partnere, e më vonë bashkëshorte e një sportisti të njohur, je automatikisht e detyruar të marrësh pjesë në projekte mediale të ndryshme, siç ka qenë filmi dokumentar në kinema “Being Azem” (“Të jesh Azemi”).
Ka qenë e domosdoshme të jem pjesë e filmit dokumentar. Ekipi i xhirimeve na ka përcjellë pesë vjet me radhë në çdo pushim, në jetën private, duke nisur nga martesa, lindja e djalit të parë, e në shumë situata të tjera.
E, këtë e kam bërë për bashkëshortin tim, pasi që, me të vërtetë, karriera e tij e ka merituar të ekspozohet në kinema.
Sidoqoftë, janë shumë pak njerëz që kanë film për jetën e tyre. Pra, kjo është arsyeja që kam pranuar të jem pjesë e filmit, të bëhet diçka reale dhe jo e inskenuar.
Pas përfundimit të filmit e kemi ndërtuar një shtëpi për veti. Kemi pasur mjaft kërkesa nga mediet për storie brenda shtëpisë, por nuk kam pranuar që asnjë kamerë të hyjë brenda, kjo ka mundur të ndodhë vetëm jashtë ose në tarracë. Pjesa e shtëpisë tonë tashmë është plotësisht private.
Shumë herë edhe në “Instagram” më pyesin pse nuk e tregoj shtëpinë nga brenda. Thjesht, nuk pranoj. Sepse, qëllimi im s’ka qenë kurrë të ekspozohem…

Ndërkohë, dukeni bukur. Është meritë e gjeneve, apo keni regjim a sekret të veçantë?
– Jam e bekuar gjenetikisht. Qeshi shumë, jam njeri pozitiv dhe kjo i bën njerëzit të duken bukur.
Mendoj se bukuria është diçka relative, nuk u pëlqen të gjithëve i njëjti person, i njëjti ideal. Është e trishtueshme kur e shoh se në çfarë ideali ka arritur sot të jetë dukshmëria e një femre. Shumica e femrave duken tejet të njëjta. Tepër artificiale.
Unë besoj se bukuria e brendshme, të qenit e kënaqur dhe e dashur me vetveten dhe vetëbesimi, janë ato që të bëjnë të shkëlqesh edhe nga jashtë.

Po e mbyllim bisedën me blogun tuaj në “Instagram?”
– Të vishem bukur dhe të bëj eksperimente me modën, ka qenë pasioni im qyshkur kam qenë e vogël.
Blogun e kam hobi, më pëlqen nëse mund ta inspiroj dikë me mënyrën se si vishem, me atë që bëj etj.
I kam disa kooperime me kompani të vogla, meqë mundohem t’u ndihmoj bizneseve të vogla.
Gjithsesi, ta mbash një blog në mënyrë profesionale të nevojitet shumë kohë. E, momentalisht nuk kam shumë kohë të merrem me këtë, por të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]