fbpx

Nostalgji, dashuri e vuajtje në vargje

nga Revista Kosovarja

Ditë më parë doli nga shtypi përmbledhja me poezi e Safet Krivaçës “Natë për vetëvrasje”, poezi të shkruara nga autori në kohë të ndryshme…

Autori, Safet Krivaça, gazetar dhe publicist, pas dy librave me përmbajtje shumë voluminoze “Ferri drejt varrezës masive” dhe “Ura e lotëve”, para lexuesve paraqitet me përmbledhjen e poezive “Natë për vetëvrasje”, poezi këto të shkruara në kohë të ndryshme, madje edhe në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme, por edhe me poezi të ditëve të sotme.
Por, e veçanta e autorit është se këtë herë librin me poezi e promovoi në Redaksinë e Revistës “Kosovarja”, redaksi në të cilën punon që nga paslufta e deri në ditët e sotme, në prani të stafit të Revistës, por edhe të bashkëpunëtorëve të shumtë.
Me këtë rast, redaktori i librit, Gani Dili, editor dhe kryeredaktor i “Kosovares” tha:
“Duke i lexuar vargjet e këtij libri, të ndarë në cikle, krijohet përshtypja se ky libër është shkruar për një shtresë të lexuesve seriozë, apo për të gjitha ata që janë lexues të kujdesshëm a njohës të poezisë me figuracion të dendur dhe me kuptueshmëri, e që me këto poezi autori tregon qartë punën dhe vendosmërinë e tij, të një krijuesi që hapëron të arrijë atë që synon, e me këtë edhe ia ka arritur qëllimit.
Motivet që fshihen nëpër poezitë përkatëse janë të ndryshme, sepse brenda “brumit” poetik (sidomos në ciklin e parë “Oda”) ngjeshën ide të thelluara të poetit, si në aspektin semantik ashtu edhe në atë tematik, në të cilat pasqyrohet një protestë e brendshme e poetit karshi padrejtësive që iu bënë më herët popullit shqiptar, por edhe tani nëpër krahina të tjera, të ndara padrejtësisht nga trungu shqiptar, si Toplica, Sanxhaku, Çamëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës…
Sidoqoftë, në disa vargje të autorit hasim edhe në pesimizëm, si pjesë normale e ndjenjave dhe e momenteve të caktuara. E këtë e hasim në disa poezi, e veçmas në “Natë për vetëvrasje”.
“I çela sytë
Floku yt s’më prekte në fytyrë
Ishte natë për vetëvrasje”.
Megjithatë, poezitë e Safet Krivaçës shprehin botën e njeriut tonë: ajo nuk zgjon kënaqësi, as nuk është argëtuese, as nuk të pushton me jashtësinë e saj. Ajo është gjurmim dhe shqiptim i thellësive të botës sonë, i krenarisë, i pësimeve dhe i tragjikes që e përcollën dhe e përcjellin njeriun tonë.
Për fund, Safet Krivaça, nëpërmjet vargjeve, sikur fton lexuesin që të lexohet poezia, të rritet numri i dashamirëve të fjalës së shkruar, sidomos i poezisë”.
Ndërkaq, në fjalën e vet, autori i librit, Safet Krivaça, para të pranishmëve shpalosi punën e tij shumëvjeçare në shkrimin dhe seleksionimin e poezive të tij, të cilat, siç tha ai, janë nostalgjia dhe shpirti i tij i vuajtur nëpër kohë, si dhe dashuria e madhe që ka për poezinë që nga koha kur ishte nxënës i shkollës së mesme e edhe në ditët e sotme.
Me këtë rast, autori falënderoi të pranishmit e këtij promovimi dhe u zotua se edhe në të ardhmen penda e tij poetike nuk do të ndalet.
E, për fund, s’na mbetët tjetër pos t’i urojmë autorit që të sjellë edhe krijime të tjera…

Isa ILAZI

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]