fbpx

Nuk ka përparim në dialog – Kurti: Vuçiqi nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

nga Revista Kosovarja

Pak orë pasi ka përfunduar darkën jozyrtare me presidentin e Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se s’ka përparim në bisedimet me Serbinë.
Ai ka thënë se Serbia nuk është distancuar nga ish-kryetari i saj, Sllobodan Millosheviq, e as nga Vladimir Putini i Rusisë.

Të mërkurën, Kurti u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin të Gjermanisë në një darkë jozyrtare, të organizuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Takimit i paraprinë takimet e ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Kurti ka thënë se takimi me Vuçiqin ishte përgatitje për takimin e javës së ardhshme, më 13 maj, në nivel kryenegociatorësh.

“Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim.

Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë Kurti për televizionin publik.

Shefi i ekzekutivit Kurti ka deklaruar se qëndrimet e Serbisë janë të vjetra dhe se kjo është arsyeja pse s’ka marrëveshje të re, që sipas tij i nevojitet jo vetëm raporteve mes Kosovës e Serbisë, por edhe Ballkanit e Bashkimit Evropian.

Varësisht se si shkon takimi i 13 majit, mund të ketë takim të ri në nivel liderësh, ka paralajmëruar ai.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]