fbpx

Nuk kishte dialog në Bruksel, por as jo Asociacionit!

nga Revista Kosovarja

Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel ishte takim i dy liderëve për konsum të brendshëm në Kosovë e Serbi, shkruan “Kosovarja”.

Propozimi e Kurtit për ndryshimin e CEFTA-s në EFTA, as që e kishte rendin të vihej në tavolinë bisedimesh.

E, kjo ka ndodhur për ta përmendur reciprocitetin, për të cilin kryeministri i Kosovës do ta pastrojë veten nga premtimet në fushatën e fundit zgjedhore.

Ai, ndër të tjerash, nga katër pikat e propozuara, tha: “Pas njohjes reciproke me Serbinë, Kosova dhe Serbia do të përdorin masën reciproke ndaj njëra- tjetrës”.

E, nëse ndodh, siç tha Vuçiçi, se Serbia nuk do e njehë kurrë Kosovën shtet, atëherë as reciprociteti i Kurtit ndaj Serbisë nuk do të ndodhë kurrë!

Kështu, Albin Kurti e ka shmangur reciprocitetin e premtuar në Kosovë, duke e shtyrë në një reciprocitet që nuk do të ndodhë kurrë!

CEFTA, sipas Kurtit, duhet të transformohet në EFTA dhe kuptimi i saj është të menaxhohet nga BE-ja, apo të jetë projekt i BE-së.

As kjo nuk duhej të vendosej në tavolinë. Kosova ka vetëm një problem më Serbinë: Njohjen nga Serbia!

E, nëse ndodh njohja, të tjerat rehatohen vetvetiu: Hapen marrëdhëniet diplomatike dhe bilaterale, njihet legjislacioni ndërkufitar me logot e certifikuara shtetërore dhe Serbia më nuk do refuzojë të pranojë mall nga Kosova, qoftë transit apo import, duke mos e pranuar emërtimin Republika e Kosovës.

Pra, për çka po flet Albin Kurti? Kurti e di se CEFTA s’e ka rendin në Bruksel! Serbia do marrëdhënie me Kosovën, por vetëm në kuadër të një normalizimi të rremë – pa njohje reciproke.

Gjithashtu, edhe roli i SHBA-ve në bisedime me Serbinë ka qenë konstant dhe, më në fund, ambasadori Kosnet i tregoi Kurtit se çka duhet bërë me Asociacionin! Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]