Numri i ri mbi artikull
Artikull i sponzorizuar

Oficeri britanez vazhdon edhe sot dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

nga Revista Kosovarja

Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë e tij edhe gjatë seancës së të mërkurës.

Mbi artikull

I njëjti është në cilësinë e dëshmitarit të 14-të me radhë në këtë çështje gjyqësore e cila ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Gregory Kehoe, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Ndryshe i njëjti është përgjigjur gjatë seancës së djeshme në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe ka filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Kehoe.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët dhe dëshmitari që të flitet ngadalë në mënyrë që të mund të përkthehet dhe të mbahet në rregull transkripti.

Moneytizer Paragrafi 4

Tutje ka deklaruar se përveç se i është miratuar kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zgjatjen e numrit të fjalëve për një kërkesë të prokurorisë, pranohet shtimi i numrit të fjalëve edhe për përgjigjet e mbrojtjes për kërkesën e ZPS-së.

Më tej, trupi gjykues me kërkesë të mbrojtësit të viktimave ka ri-urdhëruar klasifikimin si publik të urdhrit gojor të bërë në seancë private për kërkesën për marrje në pyetje të një dëshmitari, ku kanë urdhëruar redaktimin e emrit të viktimës.

Po ashtu, është urdhëruar ZPS-ja që deri më 28 korrik të komunikojë se cilët janë pesë dëshmitarët e radhës kurse ka urdhëruar mbrojtjen të rishikojë kohën për kundër-pyetje për këta pesë dëshmitarë deri më 4 gusht.

‘‘Koha e vlerësuar për mbrojtjen mund të cenojë shpejtësinë e procesit gjyqësor dhe vlerësimi i saktë i kundër-pyetjeve është e rëndësishme’’, tha gjykatësi.

Në vazhdim është dhënë urdhër me gojë lidhur me kundërshtimet për pyetjet që bën trupi gjykues.

Ai tha se rregulloja nuk parasheh mundësinë e kundërshtimeve të pyetjeve gjyqësore por se trupi gjykues mund të pranojë kundërshtimet e tilla që kjo më pas të ngritët në nivel apeli.

‘‘Kundërshtimet duhet të bëhen në përputhje me kodin e sjelljes profesionale dhe urdhrin e trupit gjykues për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe vendimin e apelit lidhur me pyetjet gjyqësore’’, tha gjykatësi Smith.

Po ashtu sipas tij, pyetjet nuk duhet të mbajnë komente dhe se trupi gjykues do vendos për kundërshtimet për pyetjet gjyqësore.

I njëjti tha se trupi gjykues ka vlerësuar se pyetjet e mbrojtësit të Veselit gjatë ditës së djeshme kanë kaluar përtej sjelljes së duhur gjyqësore.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit gjatë seancës së sotme.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i njëmbëdhjetë i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i dymbëdhjetë, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]