fbpx

OKB: Tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbeten të larta

nga Revista Kosovarja

Tensionet e pazgjidhura politike me Serbinë dhe situata e brishtë në veri të vendit vazhdojnë të ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga iniciativat e BE-së, thuhet në një raport të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Megjithëkëtë, dokumenti i cili e ofron një pasqyrë të gjerë të arritjeve dhe sfidave kryesore me të cilat përballet shteti, konstaton se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në dekadën e fundit drejt zhvillimit demokratik dhe ekonomik

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, përkundër përpjekjeve disavjeçare të lehtësuara nga Bashkimi Evropian (BE) për t’i normalizuar raportet ndërmjet këtyre dy vendeve, konstatohet në një raport përmbledhës të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Tek përshkruhet situata në terren, dokumenti thekson se mungesa e përparimit në dialog ka çuar në krizë në veriun e populluar kryesisht me serbë.

“Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të konfliktit në vitin 1999, ka pak përparim në drejtim të pajtimit mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe midis komuniteteve brenda Kosovës. Situata në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Qasja e krizës që e karakterizon veriun e Kosovës i pengon investimet e huaja, zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal”, shkruan në dokument.

Në të përmenden edhe çështjet që kanë ndikuar në bllokimin e procesit dhe ngritjen e polarizimit mes palëve.

“Bllokadat politike rreth themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, njohja reciproke ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe mospërfshirja e nënshkrimeve të palëve në Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023, kanë shërbyer më shumë për t’i polarizuar sesa për t’i normalizuar marrëdhëniet. BE-ja e mban përgjegjëse Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve në veri dhe vendosi masa në qershor të 2023-tës, përfshirë pezullimin e ndihmës për zhvillim e Kosovës. Këto masa nga donatori më i madh i Kosovës kanë pasur efekt ngadalësues në përpjekjet e saj për t’i arritur qëllimet e Agjendës 2030”, shkruan aty, njofton Koha.

Edhe pse Kosova ka shënuar përparim në zhvillimin demokratik, sidomos me zgjedhje të lira dhe tranzicione politike paqësore, sipas raportit, ajo është përballur me cenueshmëri sociale, ekonomike dhe mjedisore.

“Përparimi drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-ve) ka qenë i ngadalshëm dhe i pabarabartë. Sfidat e vazhdueshme e përfshijnë reduktimin e varfërisë, përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, arritjen e barazisë gjinore, adresimin e krizës së trefishtë Planetare, ndryshimet klimatike, humbjen e biodiversitetit dhe ndotjen, punësimin produktiv dhe punën e denjë, si dhe paqen, drejtësinë dhe institucionet e qëndrueshme”, shkruan aty.

Dokumenti përmend se këto sfida rëndohen nga mungesa e të dhënave për shumë indikatorë të SDG-ve, gjë që i ka penguar vlerësimet sasiore. Raporti analizon edhe trendët e popullsisë pas regjistrimit të vitit të kaluar.

“Regjistrimi i popullsisë dhe banesave i vitit 2024 tregoi një rënie të popullsisë prej 8.8 % krahasuar me vitin 2011, nga 1.739,825 në 1.602,515 banorë, kryesisht për shkak të emigrimit, veçanërisht të të rinjve. Mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 30 vjeç në vitin 2011, në 35 vjeç në vitin 2024, me pjesën e popullsisë mbi 65 vjeç, që është rritur nga 6.7% në 10.9%, duke treguar një trend plakjeje që kërkon forcimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbrojtjes sociale për ta fuqizuar kapitalin njerëzor”, thotë raporti.

Por, pavarësisht këtyre trendëve demokratikë, Kosova mbetet një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë.

“Pjesëmarrja në fuqinë punëtore është e ulët, me vetëm 40.7% të popullsisë në moshë pune aktive. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është më e ulëta në Evropë, me 24.2% kundrejt 57.8% për burrat, ndërsa papunësia tek të rinjtë është e lartë, 17.3%, me 14.4% për meshkujt dhe 22.8% për gratë”, thotë raporti.

Sipas Kombeve të Bashkuara, shumë vende pune, sidomos në ekonominë joformale, nuk ofrojnë mbrojtje adekuate sociale, duke i lënë punëtorët të ekspozuar ndaj kushteve të këqija të punës, pagave të ulëta dhe pasigurisë në punë.

“Varfëria në Kosovë është ulur, megjithatë ritmi i uljes është ngadalësuar në vitet e fundit, dhe të dhënat për varfërinë janë të kufizuara. Rritja e pagave nuk e ka përmirësuar në vetvete mirëqenien e familjeve nën pragun e varfërisë”, shkruan aty.

Dokumenti i bën një analizë edhe sektorit energjetik të Kosovës, i cili mbështetet në linjit, “që shkakton degradim mjedisor dhe ndotje të rëndë të ajrit, veçanërisht në zonat urbane”.

“Edhe pse Kosova e ka nisur kalimin drejt energjisë së rinovueshme, sidomos përmes liberalizimit të tregut të energjisë, janë të nevojshme investime për ta siguruar një kalim të qëndrueshëm. Për më tepër, ndikimet e ndryshimeve klimatike përfshirë rritjen e temperaturave, përmbytjet dhe thatësirat e kërcënojnë stabilitetin socio-ekonomik të Kosovës, sidomos në zonat rurale që varen nga bujqësia”, konstaton.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]