Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në Lipjan.
Në një postim në ‘Facebook’, Osmani e ka quajtur këtë ngjarje të rëndë dhe tronditëse, duke theksuar se dyshimet serioze që janë ngritur kërkojnë veprim të menjëhershëm institucional.
“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka kërkuar hetim të pavarur dhe profesional për këtë rast, si dhe ndëshkim të çdo zyrtari që mund të ketë tejkaluar kompetencat ligjore.
“Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Presidentja.