fbpx

Palët në Hagë debatojnë rreth nxjerrjes së materialeve, avokati i Kadri Veselit thotë se prokuroria po e keqpërfaqëson çështjen

nga Revista Kosovarja

Në Hagë po mbahet konferenca e shtatë mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Palët kanë debatuar rreth nxjerrjes së materialeve për çka avokatët kanë kritikuar prokurorinë për vonesë në nxjerrjen e materialeve.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka afati deri më 27 shtator të paraqesë materialet e siguruar, ndërkohë deri tani janë dorëzuar vetëm 75% e tyre. Mbrojtja ka deklaruar që materialet përbëhen nga shumë faqe dhe u nevojitet kohë t’i analizojnë, meqë sipas tyre, kanë pranuar materiale shumë voluminoze.

Në seancën e sotme, prokurorja Claire Lawson ka deklaruar se kanë në dispozicion edhe disa pako të tjera me materiale që pretendojnë t’i nxjerrin.

Ajo ka shtuar se mund të jetë e nevojshme të bëhen edhe redaktime lidhur me emrat e dëshmitarëve dhe të ekspertëve, ndërkohë që ka kërkuar zgjatje të afatit lidhur me përkthimet për çka u kuptua se kjo mund të marrë kohë disa muaj.

Lawson nuk ka treguar ndonjë afat se kur mund të përfundojnë nxjerrjen e materialeve.

“Për fat të keq, nuk mund të jem më e saktë se ajo që ishte sepse nuk kemi marrë materialet për të cilat kemi kërkuar ndryshimin e masave, nuk e dimë sasinë e materialeve që do të që shoqërojnë atë kërkesë”, ka thënë prokurorja kur është pyetur rreth materialeve që do t’i nxjerrin para datës 27 shtator.

Kjo ka ngjallur reagimin e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson i cili ka quajtur prokurorinë jo profesionale.

“Ky është edhe një shembull tjetër i mënyrës si sillet prokuroria. Unë kërkova të më kërkojnë falje për mënyrën se si e kanë keqreprezentuar çështjen e tyre dhe këtë nuk e mora. Por ta lëmë këtë anash, të gjithë në këtë sallë dhe ata që na shohin nuk ka asgjë konstante lidhur me punën e prokurorisë sikur të kishte qenë ashtu do të ishim të gatshëm për gjykim, ne po na thuhet tani se kemi materiale të cilave nuk ua dimë sasinë e saktë që duhet të nxjerrën dhe ata tashmë e dinë se nuk janë në gjendje ta nxjerrin këtë material brenda afateve. Unë këtë e kam të vështirë ta kuptoj, se si mundet një material kaq voluminoz që duhet ende të përkthehet në anglisht dhe prokuroria nuk flet shqip dhe ka vendosur këtë material ta përdorë në gjykim, ka teknika të ndryshme që ka përdorur kjo prokurori e pandershme që të ju mashtroj lidhur me atë se kur është e gatshme të fillojë gjykimi por ky nivel i jo profesionalizmit”, ka thënë Emmerson derisa është ndërprerë nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili i ka kërkuar të mos i drejtohet prokurorisë me një gjuhë të tillë.

Avokatët kanë deklaruar se prokuroria është vonuar me nxjerrjen e pakove, gjithashtu kanë kritikuar se janë nxjerrë shumë pako njëkohësisht dhe të gjitha sipas tyre kërkojnë analiza.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory W.Kehoe ka thënë se ka paqartësi rreth materialeve që pritet të dorëzohen deri më 27 shtator.

“Nuk jam ende i qartë me vëllimin e materialeve që duhet të marrim deri më 27 shtator, dua të tërheq vëmendjen tuaj dhe më falni nëse nuk e them atë që duhet, por dua që të vazhdoj nga ato që thatë në konferencën e fundit kur Prokuroria tha që janë në rrugën e duhur lidhur me nxjerrjen e materialeve të rregullës 102 1 b dhe si rrjedhojë që nga ajo seancë apo pas saj kemi marrë mbi 11 mijë dokumente, 10 mijë prej të cilave ishin të rregullës 102 a dhe b. Lidhur me rregullën 102 1 b ishin 11 mijë dokumente, 8 mijë e 542 prej tyre ishin të rregullës 102 b, pra 75% e dokumenteve që kemi marrë që lidhen me rregullën 102 1 b i kemi marrë në bazë të seancës së fundit që ishte në fakt afati fillestar q vendoset. E kuptoj që ju e vutë afatin 27 por të marrës 75% të dokumenteve të rregullës 102 b gjatë kësaj periudhe më bënë të mendoj dhe lidhet me kërkesën tuaj për njoftim sipas rregullës 102 3m sepse nuk kemi fare kohë për t’i përtypur të gjitha këto. Ndërsa nuk janë 8 mijë e 542 faqe, janë 8 mijë e 542 dokumente dhe përbëjnë shumë”, ka thënë avokati i Thaçit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]