Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti theksoi rëndësinë e librit në përkujtim të 25-vjetorit të Panairit të Librit në Prishtinë, duke cituar moton e këtij edicioni: “Inteligjenca rrjedh nga libri”. Ai nënvizoi se libri është mjeti kryesor i një shoqërie të hapur, që sjell liri shpirtërore dhe mendore.
Panairi këtë vit shënon edhe përvjetorë të rëndësishëm, përfshirë 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, 150 vjetorin e Faik Konicës, 200 vjetorin e Pashko Vasës dhe 400 vjetorin e Pjetër Bogdanit.
Me rreth 2000 tituj të rinj dhe gjithsej 6000 tituj nga rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, kjo ngjarje rifreskon krijimtarinë letrare dhe përvojat e lidhura me librin.
Kurti ftoi të rinjtë që të shfletojnë dhe shfrytëzojnë pasurinë e librave, duke theksuar se “krijimtaria dhe fuqia e mendimit të artikuluar në faqet e një libri, prek horizonte e thellësi të reja ndjenje e ndjeshmërie, dije e vetëdije të cilat inteligjenca artificiale mundet vetëm t’i lakmojë”.