Në fjalimin e tij të parë zyrtar drejtuar medias, Papa Leo XIV ka dhënë një mesazh të fortë për gazetarët, duke i bërë thirrje që të heqin dorë nga “paragjykimet dhe pakënaqësia”, si dhe të veprojnë me përgjegjësi, veçanërisht në kohën e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale.
Në adresimin e tij, Papa vlerësoi rolin e rëndësishëm të komunikimit në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, duke e konsideruar atë një mjet që mund të na shpëtojë nga ndarja dhe polarizimi shoqëror.
“Një nga sfidat më të rëndësishme që unë shoh është se si të promovojmë komunikimin që mund të na nxjerrë nga Kulla e Babelit në të cilën ndonjëherë gjendemi, nga konfuzioni i gjuhëve pa dashuri që shpesh janë ideologjike ose partiake,” deklaroi Papa.
Ai foli edhe për Inteligjencën Artificiale, duke e quajtur atë një mundësi të madhe për njerëzimin, por që duhet trajtuar me maturi.
“Potenciali i jashtëzakonshëm i Inteligjencës Artificiale është i pamohueshëm, por duhet përdorur me përgjegjësi, në mënyrë që të sigurohet se mund të përdoret për të mirën e të gjithëve,” shtoi ai.
Mesazhi kryesor i Papa Leo XIV ishte çarmatimi i komunikimit nga çdo formë urrejtjeje e paragjykimi.
“Nuk kemi nevojë për komunikim të zhurmshëm dhe të fuqishëm, por përkundrazi për komunikim që është i aftë të dëgjojë dhe të mbledhë zërat e të dobëtve,” tha ai para se të bekojë gazetarët.
Në fund, ai pati edhe një kërkesë të veçantë për përfaqësuesit e mediave: “Të kërkoni të zgjedhni me vetëdije dhe guxim rrugën e komunikimit në favor të paqes.”