Flori Mumajesi ka shqetësuar fansat e tij të shumtë një ditë më parë.
Kantautori i njohur zbuloi se disa nga këngët e tij më të njohura ka vendosur t’i fshijë nga çdo platformë.
Kjo bëri që ndjekësit të shqetësoheshin për të dhe i mërziti fakti për këtë vendim të papritur të tij.
Ata reaguan menjëherë në mbështetje të tij, si për t’i rikujtuar se “muzika e tij nuk është harruar.”
E gjithë “zhurma” që shkaktoi është reflektuar edhe në “inbox-in” e kantautorit dhe këtë e bëri të ditur vetë ai.
“I dëshmoja vetes që “duhet ta shtysh vetë se ata s’kanë detyrim ta dëgjojnë këngën tënde përditë.” As unë se kam detyrim këtë gjë, ta shtyj”- shprehej Flori në videon ku lajmëroi se ka fshirë këngët e tij.
Pas mesazheve të shumta ai mori vendim që t’i rikthejë këngët.
“Nga ky moment kënga “Me sy mbyllur”, “Me fjalë të vogla”, “Flas”, janë online. Falë jush ndihem se kam një familje të madhe.”
Por përpara se të lajmëronte rikthimin e këngëve, Flori ndau disa video të gjata në “Instagram” ku zbuloi më shumë rreth vendimit të tij.
“Kam mburojë emocionale pak të dobët edhe sa vjen e dobësohet më shumë. Para ca ditësh isha në Greqi dhe mbase prandaj e bëja videon, aty u ngarkova me shumë emocione. Isha i vogël, 13-14 vjeç kur kam pësuar humbjen më të madhe në jetë në Greqi, një ditë pasi im atë doli nga spitali”– shprehet mes të tjerash gjatë videos Flori.