Dritaret mund të bëhen jashtëzakonisht të ndotura gjatë muajve të dimrit, duke mbledhur papastërti nga jashtë si dhe gjurmë gishti nga brenda.
Mbajtja e tyre të pastra gjatë gjithë vitit mund të jetë sfiduese, veçanërisht nëse keni një konservator (dhomë xhami). Megjithatë, kujdesi i rregullt ndihmon në parandalimin e gërvishtjeve apo dëmtimeve dhe i mban ato të shndritshme gjatë verës.
Rekomandohet që dritaret të pastrohen një deri dy herë në vit, në varësi të vendndodhjes. Nëse jetoni afër detit, ku ekspozimi ndaj kripës është i lartë, apo në një qytet me ndotje të shtuar, mund të jetë e nevojshme pastrimi më i shpeshtë.
Një zëdhënës i Safestyle, shitësi më i madh i dritareve në MB, tha:
“Njollat në xham mund të jenë shumë irrituese dhe të prishin pamjen e pronës, por ka plot mënyra për t’i eliminuar ato.Më e rëndësishmja është që të përdorni një leckë mikrofibër ose letre për të hequr pluhurin para se të filloni pastrimin. Më pas, rekomandoj të përdorni një solucion të përgatitur me një pjesë uthull të bardhë të distiluar dhe dhjetë pjesë ujë të ngrohtë”.
Ky solucion shtëpiak mund të aplikohet direkt në leckë ose mbi dritare, duke u fërkuar në mënyrë të barabartë mbi sipërfaqen e xhamit.
Për rezultate të pastra dhe pa vija, eksperti rekomandon që të shtoni pak sodë buke mbi leckë përpara se të shtoni solucionin me uthull, pasi ndihmon në heqjen e njollave të forta.
Eksperti shtoi:
“Nëse keni ende vija që nuk largohen lehtësisht, provoni të kaloni përsëri mbi atë zonë me ujë të pastër për të hequr çdo mbetje të solucionit”.
Uthulla e bardhë është shumëfunksionale për përdorim në të gjithë shtëpinë.
Është pikërisht acidi acetik në përbërjen e saj që ndihmon në shpërbërjen e papastërtive, yndyrnave dhe njollave në dritare, si dhe në eliminimin e gëlqeres.