Fytyra e vetme që 78-vjeçarja e shtruar në spital për 3 vite është ajo e partnerit të saj.
Genc Abileka 55-vjecar nga Shqipëria, bashkëjetoi për 14 vite me Myzafere Rizvanollin në Gjakovë. Pa lidhur kurorë e pa miratimin e familjes Rizvanolli, ata çuan jetën së bashku në shtëpinë e Myzaferes në Gjakovë.
78-vjeçarja mbeti e palëvizshme dhe e pavetëdijshme si pasojë e një gabimi që bënë mjekët kur po i jepnin anestezionin për të hyrë në operacion.
E shtruar në spital, Genci ka thënë se gruas së tij, ndonëse jo para ligjit, i duhet kujdes i vazhdueshëm dhe këtë po ia ofron ai, tash e tri vite me radhë.
Familjarët e Myzaferes asnjëherë nuk janë pajtuar me lidhjen e tyre, meqë akuza e tyre kryesore është se Abileka kishte ardhur në Kosovë dhe është lidhur me Myzaferen për t’ia marr pasurinë.
Në rrëfimin e tij për Kiks Kosova, 55-vjeçari ka thënë se trajtimi i vazhdueshëm në spital po i kushton dhe se tanimë ka ardhur në fund të rezervave ekonomike që kishte.
Për trajtim të mëtutjeshëm, Genci ka thënë se po huazon të holla nga të afërmit e tij nga Shqipëria.
Abileka akuzon familjen e 78-vjeçares, partneres së saj, se nuk janë kujdesur as edhe një ditë për motrën e tyre, e as nuk i kanë ofruar ndonjëherë ndihmë financiare.
Sipas tij, familjarët e saj kanë hequr dorë nga ajo dhe i janë përgjigjur me përgjigje të llojit se ‘nuk na intereson për të’.
Madje ai pretendon se disa herë kanë pasur edhe konflikt mes vete, ngase familja e Myzaferes deshën ta largonin atë si nga spitali ashtu edhe nga jeta e saj.
E gjithë kjo luftë mes personit që Myzaferja bashkëjetoi 14 vjet dhe familjes së saj, po bëhet pas kërkesave që të dyja palët patën – heqja e zotësisë së veprimit dhe marrja e kujdestarisë ligjore të Myzaferes.
Sipas Gencit, mjekët kanë konstatuar se gjendja e Myzaferes është e tillë që ajo nuk e gëzon të drejtën e zotësisë së veprimit.
Genci për në intervistën e tij për KIKS Kosovën ka thënë se ka kërkuar që të marrë kujdestarinë mbi Myzaferen, në mënyrë që të ketë qasje në mjetet financiare të saj.
Sipas tij, ato mjete ai po do të i shfrytëzojë për shërimin e mëtutjeshëm të 78-vjeçares.
Marrjen e kujdestarisë nga Genci dhe qasjen e tij në pasurinë e Myzaferes, po e kundërshtojnë fuqishëm familja e saj.
Mosinteresimi i tyre për gjendjen shëndetësore të 78-vjeçares, Genci pretendon se vjen për shkak se ata kanë interes në vdekjen e saj dhe më pas, marrjen e pasurisë.
55-vjeçari krejt çka po kërkon është një zgjidhje nga shteti lidhur me gjendjen e partneres së tij.