Për herë të 12-të radhazi, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka arritur të konstituohet, pasi sërish ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Seanca e sotme, e thirrur nga kryesuesi Avni Dehari, përfundoi pa rezultat, ndërsa u caktua një tjetër përpjekje për të premten, transmeton IndeksOnline.
Procesi është bllokuar prej javësh, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu, ndonëse e mbështetur fuqishëm nga LVV sikandidate meritore, shihet nga disa parti të tjera si figurë përçarëse, çka ka pamundësuar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e saj.
Pavarësisht disa lëvizjeve të fundit për zhbllokim të situatës, nuk është arritur asnjë marrëveshje. LVV i ka kërkuar LDK-së një marrëveshje, por kjo e fundit ka refuzuar, duke propozuar në vend të saj një qeveri tranzitore ndërpartiake.
Ngërçi i thelluar institucional vazhdon ta mbajë pezull edhe formimin e Qeverisë së re, pasi kjo mund të ndodhë vetëm pas konstituimit të Kuvendit.