Njëri ndër kandidatët për kryetar të LDK-së, pa dyshim, mund të jetë edhe Besian Mustafa, djali i veprimtarit të kësaj partie, Xhemail Mustafës, i vrarë paslufte, shkruan “Kosovarja”.
LDK-ja u themelua në kohën kur Kosova rrezikohej nga Serbia që popullata të asimilohej. U formua si parti e mbijetesës së popullit të Kosovës dhe si e tillë ka funksionuar me pushtet moral.
Por, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, LDK-ja është munduar të mbijetojë, por gjithnjë nën udhëheqjen e të vjetërve, sepse të tillët nuk kanë lejuar në krye të LDK-së të vijnë të rinjtë.
Ky edhe është problemi numër një, e që i faturohet rënies së madhe të LDK-së, për të parën herë prej kur është themeluar kjo parti.
Mbyllja hermetike e LDK-së dhe jeta politike e klaneve, është një arsye tjetër pse partia me vizion rugovist ka rënë shumë poshtë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Tash, kur vetëm edhe pak ditë kanë mbetur që të zgjidhet i pari i LDK-së, kanë konkurruar disa kandidatë, ndër të cilët ka të tillë që nuk sjellin horizont të ri për këtë parti.
Ndryshimet nuk pritet të ndodhin me emra të vjetër, e që janë një lloj shkolle e politikës së vjetër.
Në krye të LDK-së ka ardhur koha të jenë njerëz të rinj, me shkollim jashtë Kosovës, konkretisht në SHBA, e që bartin vizione reformash, që ta ruajnë dhe qojnë tutje imazhin e kësaj partie.
E, njëri ndër kandidatët për kryetar të LDK-së mund të jetë edhe Besian Mustafa, djali i veprimtarit të kësaj partie, Xhemail Mustafës, i vrarë paslufte.
I shkolluar dhe me titull master në SHBA, Besian Mustafa, pa dyshim, është kandidati më serioz për të parin e kësaj partie, nëse LDK-ja në të ardhmen synon ta kthej imazhin që e mbante me vite e vite…
E, nëse LDK-ja edhe më tutje i ruan interesat e grupeve klanore, sikur po shihet, ajo do të jetë një kopje e NISMA-s, e që mbeti nën pragun zgjedhor.
Sidoqoftë, ndoshta dikujt në LDK edhe i konvenon t’i vihet dryni kësaj partie, sepse ka disa vjet që LDK-ja është pa identitet partiak.
Sepse, në kohën kur LDK-në e udhëhiqte Famir Sejdiu, flitej se ajo ishte shndërruar në satelit të PDK-së. Por, rënia e saj ndodhi veçmas nën udhëheqjen e Isa Mustafës…
Mirëpo, ajo që dihet është se kjo parti më nuk mund ta mbështesë funksionimin mbi rugovizmin, sepse Kosova e ka kaluar konceptin rugovist dhe duhet t’i përshtatet trendit të ri, e ku hyn politika integruese dhe zhvillimi ekonomik.
LDK-ja, si parti, më nuk mund të funksionojë vetëm duke u thirr në emrin e filozofisë rugoviane, por duke kontribuar si parti me traditë të gjatë të qeverisjes që ka pasur.
Prandaj, ka ardhur koha që LDK-ja të hapet ndaj të rinjve, që janë të aftë për konkurrencë vlerash politike. Safet Krivaça /Kosovarja/