Nesër, më 4 qershor, pritet të bëhet përpjekja e 26-të për ta konstituuar përfundimisht përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në shkurt. Deri tani, të gjitha tentimet kanë dështuar, ndërsa Kuvendi po vazhdon të funksionojë pa një kryetar të zgjedhur.
Të hënën, për të njëzetepestën herë me radhë, deputetët dështuan në përpjekjen për ta zgjedhur udhëheqësin e ri të Kuvendit. Po ashtu, për herën e shtatëmbëdhjetë radhazi, ata refuzuan formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit.
Kjo formë e votimit – e propozuar më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas disa tentimeve të pasuksesshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut të LVV-së – është kontestuar nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si jokushtetuese procedurën e votimit të fshehtë dhe kanë kërkuar masa të përkohshme, për të ndaluar seancat derisa Gjykata të japë një vendim.
Në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, më 2 qershor, këto parti refuzuan sërish të propozonin një përfaqësues në komisionin që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë, duke bllokuar kështu procesin.
Deri tani, Kuvendi ka përfunduar vetëm dy pika të rendit të ditës: Raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
Procesi mbetet i bllokuar në piken e tretë: zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Përplasjet politike dhe mungesa e konsensusit e kanë lënë Kosovën pa udhëheqje të Kuvendit për më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve, ndërsa sytë tashmë janë te Gjykata Kushtetuese dhe seanca e së mërkurës, që do të jetë përpjekja e 26-të me radhë.