Përleshjet fizike nëpër rrugët dhe hapësirat publike në Kosovë janë bërë dukuri shqetësuese, që po cenojnë seriozisht sigurinë publike. Një incident i tillë ka ndodhur edhe mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ku disa persona kanë përfunduar të lënduar si pasojë e një rrahje.
Burime të Sinjalit brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se sot, më 17 maj 2025, rreth orës 03:30, pesë persona janë paraqitur në QKUK për të marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve trupore të marra në një rrahje.
Sipas të njëjtave burime, personat e lënduar janë: Edison Cena, rreth 19-vjeçar, Muhedin Besta, rreth 33-vjeçar, Dorant Gashi, rreth 23-vjeçar, Kastriot Ramadani, rreth 33-vjeçar dhe Blerim Avdyli, rreth 32-vjeçar.
Përleshja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.
Ajo që bie në sy, sipas stafit mjekësor, është se në vendin e ngjarjes në QKUK janë parë zyrtarë policorë që mbajnë edhe punë sekondare në këtë qendër shëndetësore. Megjithatë, nuk është vërejtur prania e hetuesve apo veprime të tjera hetimore në atë moment.
Nuk ka informacion nëse rasti është raportuar në Polici apo nëse është ndërmarrë ndonjë veprim zyrtar lidhur me ngjarjen.
Sinjali po vazhdon të hulumtojë nëse organet kompetente janë përfshirë dhe cili është statusi i këtij incidenti.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.