Pesë raste të dhunës në familje janë përfshirë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. Tri raste kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, ndërsa një në Klinë dhe një në Gjakovë.
Në Drenas, një burrë ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Të dyshuarit i është sekuestruar një pushkë gjuetie dhe nëntë fishekë. Ai është dërguar në mbajtje.
“Gllogoc / 16.05.2025 – 17:00. Më datë 17.05.2025 është raportuar se i dyshuari mashkull ka ushtruar dhunë ndaj ankueses femër kosovare. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari dhe i është sekuestruar një armë zjarri –pushkë gjuetie si dhe nëntë copë fishekë. Me aktvendim të prokurorit kujdestar i dyshuari ndalohet në qendrën e mbajtjes.”
Një person tjetër është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një grua. Ai është liruar në procedurë të rregullt.
“Prishtinë / 18.05.2025 – 04:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është arrestuar dhe intervistuar i dyshuari, me urdhër të prokurorit kujdestar rasti procedohet në procedurë të rregullt.”
Edhe në Podujevë është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka kanosur një grua. Ai është dërguar në mbajtje.
“Podujevë / 15.05.2025 – 21:00. Me datën 18.05.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhune fizike ndaj viktimës femër kosovare dhe të njëjtën dyshohet se e kishte kanosur. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim te prokurorit është dërguar ne mbajtje.”
Në Klinë është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje një burrë për dhunë në familje. Ai dyshohet se e ka rrahur një grua. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.
“DHUNË NË FAMILJE- Klinë / 17.05.2025 – 13:00. Me 18.05.2025 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima si pasojë e dhunës ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.”
Një burrë është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Ai e ka dorëzuar një armë të zjarrit dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“DHUNË NË FAMILJE & ARMËMBAJTJE PA LEJE – Gjakovë / 18.05.2025 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin viktima pas pranimit të tretmanit mjekësor dhe pas intervistimit është dërguar në shtëpinë e sigurt. I dyshuari është arrestuar si dhe i njëjti e ka dorëzuar një armë të zjarrit dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar ne mbajtje.”