Gazeta Sinjali mëson nga burime brenda sistemit të drejtësisë se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Vrellë të Istogut, ku një i ri ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.
Bëhet fjalë për A. M. 19-vjeçar, i cili është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Pejës me plagë në gjoks të shkaktuar nga arma e zjarrit. Sipas mjekut kujdestar, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, megjithatë plumbi ka mbetur në trup dhe për këtë arsye është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar nga Spitali tek Policia. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat lidhen me incidentin.
Dy dëshmitarë janë intervistuar në vendin e ngjarjes dhe kanë deklaruar se kishin dëgjuar një krismë dhe menjëherë më pas kishin shkuar në dhomën e të riut ku e kishin gjetur të plagosur. Ata e kishin transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe pas intervistimit të të plagosurit në QKUK, prokurorja kujdestare për krime të rënda do të vendosë për veprimet e mëtejshme.
Ndonëse akoma nuk është i njohur motivi dhe shkaqet që çuan në këtë incident, autoritetet po trajtojnë edhe tentativën e vetëvrasjes si pistë hetimi.