Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, priti sot në një takim solemn ekipin e futbollit të Policisë së Kosovës, pas fitores së madhe në Policiadën Botërore “Copa Del Mare”, e mbajtur javën e kaluar në Greqi.
Në një atmosferë festuese dhe mirënjohjeje, ekipi kampion dorëzoi trofeun e fituar në duart e drejtorit Hoxha, duke e konsideruar këtë sukses si një arritje kolektive që i përket të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Drejtori Hoxha shprehu falënderimet e tij për përfaqësimin dinjitoz dhe uroi ekipin për këtë triumf të rëndësishëm ndërkombëtar. “Ky sukses është dëshmi e disiplinës, përkushtimit dhe punës ekipore që karakterizon Policinë e Kosovës”, theksoi ai gjatë fjalimit të tij.
Pjesëtarët e ekipit u zotuan se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri dhe se do të vazhdojnë të japin maksimumin për të përfaqësuar me nder Policinë e Kosovës, si në sport ashtu edhe në shërbim të qytetarëve.
Ky sukses shënon një tjetër moment krenarie për institucionin, duke dëshmuar potencialin dhe përkushtimin e pjesëtarëve të saj edhe përtej fushës së sigurisë.