Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shpërdorim të pasurisë së huaj, në një rast të ndodhur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Rasti ishte raportuar, më 17 maj 2025 nga një femër kosovare, e cila kishte deklaruar se më 14 maj, gjatë procesit të kontrollit të sigurisë në aeroport, në mesin e sendeve personale që kishte vendosur në shportën për kontroll, kishte qenë edhe ora e saj e dorës. Pas përfundimit të kontrollit, ajo kishte vërejtur se ora mungonte.
Pas hetimeve të ndërmarra nga autoritetet policore, është identifikuar një person i dyshuar, mashkull kosovar dhe udhëtar, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se e ka marrë orën e viktimës. I dyshuari është ndaluar, më 12 qershor 2025 në pikën e kontrollit të pasaportave në ANP “Adem Jashari”.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Policia e Kosovës fton qytetarët që të raportojnë çdo veprim të dyshimtë dhe garanton angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e sigurisë publike dhe mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve./Indeksonline