fbpx

Politika e brendshme dhe e jashtme e qeverisë Kurti ka lëvizje

nga Revista Kosovarja

Heqja dorë nga Reciprociteti nga Qeveria Kurti ndaj Serbisë, që po konsiderohet mashtrim i elektoratit, ka qenë ndër premtimet kryesore gjatë fushatës së tij, shkruan “Kosovarja”.

Taksa ndaj Serbisë e ka quar në shtëpi Ramush Haradinajn, ndërsa Reciprociteti, nëse vendoset, do e qojë në shtëpi Albin Kurtin.

Kjo e fundit ka ndikuar që Rozeta Hajdari, mbi kurrizin e të cilës bie reciprociteti, të deklarojë se ajo heqë dorë nga ky akt.

Në fakt, ministrja Hajdari dihet se nuk merr vendime për reciprocitetin, ashtu si edhe asnjë ministër tjetër në qeverinë Kurti.

Qeveria Kurti është autoritarisht qeveri ku vendimet rrjedhin vetëm nga Albin Kurti, por që ato lihen të deklarohen nga ministrat e kabinetit, në mënyrë që të mos duket se vendimet rrjedhin vetëm nga kryeministri.

Në po këtë skenar është edhe presidentja Osmani, e cila, për sa të jetë në këtë mandat, nuk do të guxojë të del jashtë diskursit politik të Kurtit, i cili jo vetëm që ka lobuar për të, por edhe ka kontrabanduar deputetë që i konvertuan partitë për ta votuar Vjosa Osmanin presidente.

Deri më tani qeveria Kurti ka ndërruar disa borde, bie fjala, në “Trepçë”, PTK, AKP etj. Po synohet edhe ndërrimi i Bordit të RTK-së, ku veç kanë hyrë presionet qeveritare.

Edhe 11 milionëshi i pagesës së shpenzime të energjisë elektrike në veriun e Kosovës, nga buxheti i shtetit, është në kundërshtim me kritikat e Kurtit gjatë opozitarizmit, pastaj ndryshimet në AKI etj.

Dhe, ajo që shihet pa u bërë 100 ditë qeverisjeje, është se ka ndryshime dhe ato po ndodhin, por asnjë prej këtyre proceseve shtetit nuk i qon para e as pasurim.

Në 100-ditshin e parë qeverisës, ka ulje të pagave në disa sektorë dhe rritje çmimesh. Njohësit ekonomikë kanë paralajmëruar rritje tatimesh te popullata, përmes të cilave shteti do t’i mbulojë premtimet e harxhimeve publike pa projekte të parashikuara.

Takimi i parë Kurti-Vuçiç, kah mesi i qershorit, do të jetë sprova e parë për qeverinë Kurti. Kurti po kritikohet për mosbashkëpunim me SHBA-të rreth dialogut dhe përqendrimin e besimit te ndërmjetësi Mirosllav Lajçak, që po shihet si figurë e pafuqishme për ta zgjidhur problemin Kosovë-Serbi, pa lëvizje kufijsh.

Sidoqoftë, Kosova po hyn në muajt më të nxehtë të zhvillimeve dramatike në raport me të ardhmen e vet përballë kërkesave të përditshme të BE-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kurti gjithë opozitarizmin e ka zhvilluar duke kundërshtuar “Zajednicën” dhe decentralizimin e gjendjen në veriun e Kosovës.

Kurti e ka kritikuar marrëveshjen Thaçi-NATO, për të cilën ka pasur reagime ndërkombëtare që e rikonfirmojnë marrëveshjen e Thaçit dhe hedhin poshtë deklarata e Kurtit se “marrëveshja Thaçi-NATO është e keqe”!

Sepse, NATO ka rikonfirmuar qëndrimin zyrtar se nuk do të lejohen lëvizjet e FSK-së andej Ibrit pa marrëveshje me KFOR-in.

Marrë në tërësi, vera e vitit 2021 do të jetë verë e nxehtë politike për Kurtin, jo vetëm për asociacionin, por edhe për Mini-Shengenin, me entitetet e ish-Jugosllavisë, që u bënë shtete në vete pas dezintegrimit të Jugosllavisë me luftëra të përgjakshme që i bëri Serbia.

Por, Kurti zorin më të madh e ka me vetveten, sepse në fushatë ka premtuar zgjidhje patriotike në ballë të të cilave ka luftuar 20 vjet.

E, problemi është se BE-ja dhe SHBA-të duan zgjidhje Kosovë-Serbi, nën petkun e kompromiseve të prekshme.

Andaj, cili do të jetë Kurti i vërtetë, do të shihet në këtë verë… Safet Krivaça /Kosovarja/

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]