Videoja e Meghan Markle duke kërcyer me Princin Harry në maternitet para se të lindte foshnjën Lilibet mund të ketë pasur për qëllim t’i japë fund teorive të konspiracionit që vënë në pikëpyetje shtatzëninë e saj, por ka pasur efektin e kundërt, sipas një akademiku të shquar britanik.
“Në një epokë ku çdo video dyshohet se është modifikuar nga inteligjenca artificiale, ajo krijon një re shtesë konfuzioni”, tha Sander van der Linden, një profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Kembrixhit.
Videoja ka të ngjarë të ketë pasur për qëllim të hedhë poshtë teoritë e zëvendësimit që kanë qarkulluar në internet që nga viti 2019, kur Meghan Markle ishte shtatzënë me Archie-n. Megjithatë, van der Linden argumentoi se lëvizje të tilla “shpesh legjitimojnë teoritë e konspiracionit”.
“Në përgjithësi, sa më shumë që përpiqesh të hedhësh poshtë një teori konspiracioni, aq më shumë përforcon përshtypjen se mund të ketë diçka pas saj. Pse të përgjigjesh nëse nuk është e vërtetë?”, theksoi ai, duke shtuar për “Telegraph”: “Ka përjashtime kur mund t’i dekonstruktosh ato me humor dhe ironi, gjë që ndoshta është ajo që Meghan u përpoq të bënte këtu. Por nuk funksionoi. U jep kritikëve shumë material për t’u kapur”.
Videoja kontroverse tregon Princin Harry dhe Meghan Markle duke kërcyer me këngën virale “Baby Mama” nga Starrkeisha.
Megjithatë, teoricienët konspirativë kanë dalë me teori të çmendura. Disa kanë vënë në pikëpyetje formën ose madhësinë e barkut të saj, të tjerë kanë thënë se një grua nuk mund të kërcejë kështu në muajin e nëntë, ndërsa të tjerë kanë pohuar se videoja është filmuar në një shesh xhirimi ose është krijuar me inteligjencë artificiale.
Disa, duke e quajtur veten mjekë ose mami, shkruan se “ajo duhet të veshë një rrobë spitali”, se “nuk ka kateter ose intravenoz” dhe se “një grua nuk do të vishte bizhuteri gjatë një lindjeje në spital”.
Megjithatë, një mami, e cila foli për “DailyMail”, e mbështeti atë, duke komentuar se të gjitha teoritë konspirative janë plotësisht të pabaza dhe mund të rrëzohen me argumente shkencore.