Përgjigja e Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e dekretit të presidentit Thaçi, për mandatimin e qeverisë Hoti, po ofrohet. Por, sa do të jenë të kënaqura të gjitha palët, kjo mbetët të shihet, shkruan “Kosovarja”.
Cilado që të jetë përgjigja e Kushtetueses, gjë që ata duhet ta japin një verdikt, pritjet e palëve politike vështirë do të jenë të kënaqshme, çkado që vendosë Gjykata Kushtetuese.
Nëse do të kemi një verdikt të emërimit të qeverisë Hoti, do të lihet anash fituesi i zgjedhjeve të datës 6 tetori.
Një qeveri e re pa fituesin, moralisht do të ketë dozë kontestimi të mendësisë jolegjitime, aq më shumë kur qeveria e ardhme do të ketë para vetes sfida gjeostrategjike, prej nga duhet të vendoset epilogu përfundimtar i bisedimeve me Serbinë, ku edhe do të ketë debate të nxehta dhe të rënda.
Por, edhe nëse jepet verdikti për shkuarje në zgjedhje të reja, konfrontimi i Albin Kurtit me të gjithë, zor që do ta prodhojë një qeveri të re koalicionesh, çka vendi rrezikon një riciklim shkuarjesh prej zgjedhjeve në zgjedhje, derisa t’i konvenojë Kurtit epilogu si fitues.
Dhe, sipas kësaj gjendjeje që e kemi sot, Albin Kurti nuk do të ketë partner qeverisës, përveç nëse i fiton vetë zgjedhjet, gjë që është vetëm teori dhe hiq më shumë…
Sepse, Kosova deri më tash nuk ka pasur asnjëherë elektrizim më të madh të palëve politike se që ka sot mes Kurtit dhe gjithë të tjerëve, veçmas me presidentin Hashim Thaçi, i cili nuk ka të drejtë kushtetuese ta qojë vendin në zgjedhje të reja, pa e votuar parlamenti shpërbërjen e vet.
Ajo që është jokushtetuese me qëndrimin e VV-së, është se pala e Albin Kurtit është revoltuar në Hashim Thaçin pse nuk e shpërbëri Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, asnjë zyrtar i VV-së nuk është deklaruar se do ta pranojnë çdo verdikt të Gjykatës Kushtetuese, gjë që ka lënë të kuptohet për protesta të mundshme, e që mund të jenë të rrezikshme, gjë që edhe teknikisht qeveria Kurti ka krijuar lehtësi për objektiva dhune në institucione qendrore të shtetit.
Nëse do të ketë protesta dhune, pas verdiktit të Kushtetueses për dekretim të drejtë të qeverisë Hoti, definitivisht vendi do të rrëshqet prapa në proceset integruese, duke rrezikuar liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet brenda Stabilizim-Asociimit.
Dhe, sido që të jetë verdikti, ka rrezikshmëri, sepse elektrizimi mes palëve është shumë i lartë, aq më shumë kur kryeministri dhe presidenti janë lëshuar në garë ofendimesh ndërmjet veti… Safet Krivaça /Kosovarja/