Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës duket se i ka dalë kundër Qeverisë Kurti e cila vendosi për mbylljen e mediumit “Klan Kosova”, duke mos ia pranuar ankesën për pezullimin e certifikatës.
Në reagimin e presidentes Vjosa Osmani, ftohet politika që t’i mbajë duartë larg nga sqarimi i rastit përmes sistemit të drejtësisë.
Përmes një deklarate për media, Presidenca ka thënë se liria e mediave duhet të vlerësohet e të mbrohet.
“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social.” – thuhet tutje.
https://www.facebook.com/PresidencaRKS/posts/298961299459199?ref=embed_post
Tutje, presidenca ka deklaruar se promovimi i lirisë së medias dhe mbështetja ligjore e lirisë së fjalë, janë parime të shoqërisë që mbrohen nga Kushtetuta.
“Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë.”
Në fund, sipas presidentes Osmani, çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së “Klan Kosovës” duhet të sqarohet dhe se pret që kjo të bëhet duke u zbatuar ligji e pa ndërhyrje.
“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.” – thuhet në fund.