fbpx

Prezantuesja amerikane fillon të lindë drejtpërdrejt në televizion, vazhdon të drejtojë emisionin përkundër dhimbjeve

nga Revista Kosovarja

Prezantuesja e lajmeve në një stacion televiziv lokal në ShBA, Olivia Jaquith, është bërë e njohur në mbarë botën pasi i plasi uji pak minuta para fillimit të emisionit live – por ajo vazhdoi të prezantonte lajmet për plot tri orë me radhë.

Djali i saj Quincy, vetëm disa ditësh, tashmë është bërë një emër i njohur globalisht, pasi momenti kur nëna e tij, prezantuesja e mëngjesit në CBS6, Olivia Jaquith, përjetoi nisjen e lindjes live në transmetim, është shpërndarë gjerësisht në mediat botërore dhe rrjetet sociale.

“Nuk e kam menduar kurrë se kjo do të bëhej virale. U habita plotësisht”, tha Jaquith për CBS.

Ngjarja e pazakontë, ku ajo jo vetëm që ishte në eter gjatë fazës së hershme të lindjes, por arriti të prezantojë tërë emisionin informativ treorësh, u përhap me shpejtësi në rrjet.

Olivia vazhdoi të raportonte lajmet edhe pasi i kishin filluar kontraksionet dhe i kishte plasur uji, duke informuar shikuesit se ishte në pritje të fëmijës së saj të parë.

“Kemi disa lajme të rëndësishme këtë mëngjes – në kuptimin e plotë të fjalës”, tha kolegia e saj, Julia Dunn, në hapje të emisionit të mëngjesit në CBS6 Albany të mërkurën. “Olivias i plasi uji dhe aktualisht është duke prezantuar lajmet në mes të lindjes”.

Jaquith qëndroi në studio edhe më tej, ndërsa Dunn vazhdoi transmetimin live në Facebook.

“Jam mirë dhe do të qëndroj në tavolinë sa të mundem, por nëse papritur largohem… e dini se çfarë po ndodh”, u shpreh Olivia gjatë transmetimit.

Ajo kishte mundësinë të largohej për në shtëpi apo spital, por zgjodhi që kohën ta kalonte në punë, në vend se “të priste me ankth në spital”, siç tha për gazetën Times-Union.

“Të kesh përkrah të gjithë ekipin e mëngjesit që bënte humor, më ndihmoi të përballoja më lehtë kontraksionet”, tha ajo në një mesazh për gazetën.

Shtoi se fillimisht kishte menduar se nuk ishte duke lindur, por se bëhej fjalë për kontraksione të rreme: “Nuk po arrija dot as të shpjegoja siç duhet atë çfarë ndjeva kur shpërtheu lëngu”.

Pas përfundimit të emisionit, Olivia dhe bashkëshorti i saj u drejtuan për në spital. Më pak se 24 orë më vonë, erdhi në jetë Quincy – dhe siç tha ajo, ishte dashuri me shikim të parë.

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]