fbpx

Prindërit e Arbnor Spahiut dalin me deklaratë publike, kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët

nga Revista Kosovarja

Prindërit e ish policit të arrestuar në Serbi, Arbnor Spahiu, kanë lëshuar një deklaratë, ku thuhet se ai po mbahet në paraburgim me akuza të padrejta dhe të pabaza.

Ata thonë se Arbnor Spahiu ka dhënë dorëheqje nga Policia më 1 nëntor 2022 dhe që atëherë jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij.

“Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë. Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.”

Prindërit thonë se ndalimi i tij është shkelje e rëndë e të drejtave të tij si qytetar.

“Kjo është arsyeja pse ne, si prindër, e konsiderojmë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore. Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.”

Ata kanë bërë thirrje të institucionet ndërkombëtare që të “mos heshtin përballë kësaj padrejtësie”.

“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet.” /Express

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]