fbpx

Prishtinë, 28-vjeçari rreh gruan para fëmijëve në veturë, përfundon në pranga

nga Revista Kosovarja

Edhe një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në kryeqytet, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij në prani të dy fëmijëve të mitur, duke e goditur atë me grushte në kokë brenda në veturë.

Rreth orës 19:07, në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, qytetarët kanë raportuar në polici për një rast ku një person po sulmonte fizikisht një femër brenda një veture Mercedes.

Në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë Njësia Policore, ku ka identifikuar të dyshuarin dhe bashkëshorten e tij Sh. M. , e cila kishte shenja të dukshme të dhunës fizike. Viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në QKUK.

I dyshuari gjatë deklarimit të tij në polici, ka pranuar veprimin e dhunshëm, duke pohuar se e kishte goditur bashkëshorten me grushte në kokë gjatë kohës kur ajo po e voziste veturën.

E gjithë ngjarja sipas Sinjalit, ka ndodhur në prani të dy fëmijëve të tyre të mitur – një vajzë 5-vjeçare dhe një djalë 4-vjeçar.

Policia ka marrë në pyetje edhe vëllain e të dyshuarit, pasi viktima e kishte kontaktuar atë gjatë incidentit.

Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është udhëzuar inicimi i rastit për “Dhunë në familje” dhe ndalimi i të dyshuarit për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme ligjore.

Të ngjashme

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]