Sot pritet rezultatet edhe për 21 persona të tjerë të dyshuar me koronavirus të Komunës së Ferizajit, të cilëve u janë marrë mostrat.
Në këtë komunë, numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 55.
Pavarësisht numrit të madh të të infektuarve në Ferizaj, Spitali Rajonal i kësaj komune, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për personat e prekur me Covid-19.
Drejtori i këtij spitali, Jeton Zeqiri, tha se ky spital ka hapësirë vetëm për 60 pacientë, mirëpo janë duke planifikuar që objektin e ri të Institutit të Shëndeti Publik, që është i ndërtuar afër parkut “Liria”, ta vënë në dispozicion, sipas tij, kapacitetet në Prishtinë sa vijnë e zvogëlohen.
“Në qoftë se kemi një rritje të numrit të qytetarëve pozitiv në Prishtinë atëherë kapacitetet e tyre do të jenë të mbushura dhe në këtë mënyrë adresime do të bëhen edhe në qytetin tonë, ne si fazë fillestare jemi të përgatitur për 60 pacientë të cilët do të kenë suport me oksigjeno-terapi dhe më pas si opsion i dytë është objekti i ri i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik që do të ketë edhe 100 shtretër kapacitet”,tha Zeqiri.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se janë shtuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit, tani në marketet e Ferizajt, qytetarët nuk do të lejohen të marrin shërbime pa masa mbrojtëse.
“Tashmë do të ketë inspektime të shtuara, inspektorët janë në kontakt me marketet për të respektuar masat që kemi vendosur, do të kërkojmë nga qytetarët që të zvogëlohet prania e tyre, të bëjnë shërbime vetëm nga kryefamiljarët ose vetëm nga një anëtar i familjes, por në të njëjtën kohë qytetarët që shkojnë duhet të pajisen me masa mbrojtëse dhe këtë do ta kërkojmë nga marketet që mos të lejojnë futjen e qytetarëve në markete pa pasur mjetet mbrojtëse”,tha Aliu.
Policia Rajonale e Ferizajt, po ashtu thonë se do të jenë më rigoroz.
“Në bashkëpunim edhe me inspektorët përkatës edhe Policia është duke marrë masat, kemi ndalime dhe ndalesa sidomos gjatë orareve të orës policore dhe të karantinimit, tani do të jemi më strikt, nuk do të lejojmë që të rrezikohet siguria e shëndetit publik”,tha Emin Beqiri, drejtor i Policisë Rajonale të Ferizajt për Tema.
Pas shtimit të numrit të personave të infektuar me koronavirus, Komuna e Ferizajt është shpallur zonë karantine.
Derisa fshatrat Sazli, Mirash, Varosh, Nerodime, Lloshkobare dhe lagjja ”Topojani” në Greme, janë shpallur si vatra të përhapjes së infeksionit.