fbpx

Procedurat shtesë për shkak të pandemisë shkaktojnë tollovi, foto nga Aeroporti i Prishtinës

nga Revista Kosovarja

Qytetarë të shumtë pas qëndrimit në Kosovë po kthehen në vendet ku punojnë e veprojnë, ndërkaq kanë dërguar fotografi nga Aeroporti i Prishtinës, të premten mbrëma.

Në fotografi shihet numër i madh i tyre, në ditën kur në vend kanë hyrë në fuqi edhe masat e reja antiCOVID-19, si rrjedhojë e rritjes së numrit të të infektuarve.

Ndryshe, ditë më parë Aeroporti i Prishtinës ka njoftuar se për shkak të procedurave shtesë që rrjedhin si pasojë e pandemisë të gjithë udhëtarët duhet të paraqiten 3 orë para kohës së rregullt të fluturimit.

Kjo paraqitje në kohë më të hershme vjen si rrjedhojë e kontrollit të dokumentacionit shtesë përveç dokumentacionit bazë për udhëtim: Testet për COVID 19, dokumentacionin e vaksinimit, rregulloret që aplikohen për hyrje në shtetet përkatëse të cilat mund të azhurnohen çdo ditë për shkak të pandemisë, rregulloret që aplikohen për hyrje në shtetet tranzit për shkak të pandemisë, dëshminë e kalimit të COVID 19 për disa shtete varësisht udhëtimit, të dhënat e moshës së fëmijëve në përputhje me lejimin e udhëtimit me/pa test si dhe dokumente tjera shtesë varësisht kërkesave të shteteve të destinacionit.

“Po ashtu ju lusim që të rishikoni rregullat e hyrjes në shtetet ku ju udhëtoni para paraqitjes suaj në sportelet e ANP-së (check-in) e cila kërkon kohë shtesë të procesimit të udhëtarëve për shkak të kontrollit të dokumenteve të lartshënuara.

Më tej, ju njoftojmë se jemi duke operuar me kapacitete të plota të procesimit të fluturimeve dhe udhëtarëve dhe mirësisht ju lusim për mirëkuptimin tuaj!”, thuhej më tej.

 

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]