fbpx

Prokuroria hesht për aferën e tenderit 16 milionësh të ministrisë së Liburn Aliut

nga Revista Kosovarja

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është pyetur më 7 korrik, në Kuvend për Raportin e Auditorit të Brendshëm, i cili vë në pah shumë parregullësi në tenderin 16 milionësh, për mirëmbajtjen e autostradave.

“Për tenderin të cilin po flisni, parregullsitë i kemi marr nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport e kam inicuar vet bashkë me zv.ministrin. Ka tregu që ka paregullsi dhe e marrim shumë seriozisht dhe e ftojmë prokurorinë. Jemi të gatshëm dhe e kemi bërë gati materialin me u marr pikërisht për këtë çështje”, tha ai.

Gazeta Insajderi po atë ditë më 7 korrik, e ka pyetur Prokurorinë se a ka nisur hetimet mbi tenderin 16 milionësh, por nuk ka marrë përgjigje.

Pyetjen e njëjtë, se a kanë nisur hetimet pas thirrjes së ministrit, Gazeta Insajderi e ka çuar edhe më 12 korrik në Zyrën për Media të Prokurorisë, por sërish nuk ka marrë përgjigje.

Raporti i plotë i Auditorit që alarmon për korrupsion në ministrinë e Liburn Aliut

Begzad Musliu, drejtori i Njësisë së Auditmit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i ka kërkuar ministrit Liburn Aliut, që ta anulojë tenderin që peshon mbi 16 milionë euro për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës.

Këtë thirrje ai bëri pas përpilimit të raportit 70 faqesh të cilin Gazeta Insajderi e ka siguruar përmes qasjes në Dokumente Publike.

Në fillim të këtij dokumenti i cili mban datën 23 qershor 2022, e që i është dërguar ministrit Aliu dhe sekretarit të MMPHI-së, Servet Spahiut, janë reditur disa nga të gjeturat kryesore.

Në pikën e parë thuhet se “publikimi i Paramasave dhe Parallogarive me Sasi Indikative nuk ishte i njëtrajtshëm sepse nuk ishin publikuar të gjitha periudhat e synuara për kontraktim për të gjitha llotet, gjithsej 4 sish”.

E dyta thekson se “me rastin e publikimit të Paramasave me Sasi Indikative për vit të korrigjuara me ngjyrë të kuqe në bazë të të cilave OE ofertojnë me çmimin për njësi, janë bërë manipulime të qëllimshëme për t’i hutuar ofertuesit tjerë përveç atyre të shpallur “FITUES” sepse për Llotin 1,2 dhe 4 janë publikuar vetëm nga 1(një) Paramasë e korrigjuar ndërsa për Llotin 3 janë publikuar tri Paramasa për tri perudha kohore të ndara veç e veç siç janë: 2022/2023, 2023/2024, dhe 2024/2025! Kjo nënkupton se Ofertuesit e pa koordinuar me Divizionin e Prokurimit do të kishin mëdyshje të ofertonin me një Paramasë të korrigjuar për tri vite apo me tri Paramasa për tri vite”.

Derisa gjetja e tretë kallëzon në “specifikimet Teknike tek përshkrimi i Pozicioneve për ekzekutim, qëllimshëm nuk janë përshkruar Mënyra e Pagesës dhe Njësia Matëse përkatëse me llojin/sasinë e pozicionit. Ekzistojnë dyshime të bazuara se Përshkrimi i mënyrës së pagesës, matjeve sasiore dhe njësive matëse për pozicion qëllimshëm janë hjekur/fshirë në të gjitha pozicionet e radhitura në Specifikimet Teknike të detyrueshme! Të gjitha korrigjimet e bëra nga Divizioni i Prokurimit në Specifikimet Teknike me Paramasa dhe Parallogari dhe Sasi Indikative të hartuara nga Njësia Kërkuese duhet paraprakisht të merret Pëlqimi/Aprovimi me shkrim nga Njësia Kërkuese”.

Bazuar në këto gjetje Auditori ka konstatuar se “ky Aktivitet i Prokurimit ishte i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatorët ekonomikë të caktuar. Ishte një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”.

Prandaj, sipas auditorit, për të shpëtuar nga dëmet e më tejme, ai ka rekomanduar që të anulohet menjëherë ky aktivitet i prokurimit dhe të kthehet në fazën e planifikimit të mirëfilltë.

“Ju duhet të ndërmerrni të gjitha masat ligjore dhe disiplinore për t’i rivendosur kontrollet menaxheriale në Departament të Infrastrukturës rrugore dhe në Divizionin e Prokurimit, sepse Ju nuk keni besueshmërinë minimale objektivë dhe ligjore në kontrollet menaxheriale të apostrofuar”, thuhet në raport

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]