“Do të ketë protestë me mbi 200.000 protestues. Mund të infiltrohen shërbime sekrete të huaja”, kjo ishte deklarata e Rron Gjonovcit, për protestën e VV-së, që pritet të mbahet sot në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.
VV-ja e ka provuar protestën në ditët para formimit të qeverisë Hoti dhe numri i protestuesve në shesh ishte simbolik.
Kurti, duke mos qenë i sigurt në suksesin e protestave, shpiku “modelin” e ri të protestave, e që i quajti “test protesta”, që lë të nënkuptohej se, në rast të dështimit, mund të arsyetohej se ishin vetëm formë testuese dhe asgjë më shumë.
Dhe, numri i atyre që premtonin se do dalin në protestë mbi 200.000, sa ëndërronte Gjinovci, ra në 100.000, e më pas edhe në 15 mijë, për të ardhur te thirrja e Albin Kurtit dje se nesër në shesh i pres 10.000 vetë.
Ai nga sheshi i Prishtinës u bëri thirrje militantëve të vet që nesër të jenë po në këtë vend. Tha se krahas protestave edhe fjalimeve do të ketë edhe muzikë…
“Protestat do të jenë të pashmangshme. Por, më 12 qershor do të ketë manifestim për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorit të formimit të “Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti, duke mos qenë i sigurt se protesta do të ketë sukses, por edhe duke e testuar numrin e dalësve.
Por, habit fakti se Albin Kurti shumë herë ka përsëritur se nuk do t’i ndalë protestuesit nëse ata duan të protestojnë, por edhe shumë herë numrin e vogël të protestuesve e ka quajtur “shoqëri civile”, për të mos e identifikuar dështimin e VV-së.
Dhe, pa marrë parasysh se qeveria Kurti i hoqi grilat rreth qeverisë, duke krijuar kinse një ambient më relaksues të sheshit me objektin e qeverisë, nuk arritën ta realizojnë synimin për ta mbajtur me dhunë qeverisjen.
Sidoqoftë, është folur dhe komentuar shumë heqja e rrethojave të qeverisë, duke lënë të nënkuptohet një proces i dhunshëm nga VV-ja, për të cilin, de fakto, Kurti dhe rrethi i tij nuk kanë kundërshtuar, por vetëdija qytetare e ka treguar të kundërtën. Safet Krivaça /Kosovarja/