Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, në emër të subjektit të tij politik ka thënë se do ta votojnë rishikimin e projektbuxhetit për vitin 2020, përkundër që shumica dërmuese e amendamenteve që ata kanë bërë nuk janë marrë parasysh.
“Ne deklaruam se do ta përkrahim buxhetin pa kushte, i propozuam disa amandamente me bindje të plotë që i kontribuojnë situatës, megjithatë pjesa dërmuese nuk janë marrë në konsideratë. Pavarësisht që iokemi përmend edhe në leximin e parë, të metat që i përmban ky dokument, ne do ta votojmë”, tha Hamza.
Murati: Ky buxhet nuk flet për rimëkëmbje ekonomike
Hekuran Murati, në emër të grupit ta tij parlamentar Vetëvendosje, para deputetëve ka paraqitur vërejtjet e subjektit të tij politik për rishikimin e projektbuxhetit për vitin 2020, duke thënë se me këtë buxhet nuk mund të flitet për rimëkëmbej ekonomike.
Sipas Muratit, nga ky ka paraqitur projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 nuk parashihet Pakoja për Rimëkëmbje ekonomike, duke shtuar tutje se përkundër vërejtjet që janë bërë, Ministria E Financave 300 milionë eurot nuk i ka ndarë nëpër ministri të caktuara, por I ka grumbulluar vetëm në këtë ministri, e rrjedhimisht nuk dihet se ku do të përfundojnë ato para.
Murati ka thënë se përkundër proklamimit për pagesën për qytetarë në vlerë prej 170 eurove, në këtë program nuk kemi që planifikohen të bëhen këto pagesa.Hekuran Murati, si kryetar i Komisionit Parlamentar,
“Përkundër proklamimit për 170 euro për qytetarë, në këtë program nuk kemi që planifikohen të bëhen këto pagesa.
Përveç vazhdimit të disa punëve të mira, si puna e Kartonit të Gjelbër që të hiqet, dhe Pakoja fiskale emergjente, nuk kemi parë që ka diçka të tillë në këtë projektligj”, tha Murati.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë deklaruar se nuk do ta votojnë ligjin për rishikimin e buxhetit të shtetit I cili parasheh riorganizim të buxhetit për të ndihmuar qytetarët dhe bizeneset në kohë pandemie.
Deputetët e VV-së, Rexhep Selimi dhe Hekuran Murati, duke folur në hapje të seancës thanë se nuk do ta votojnë buxhetin, ndërsa kanë kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për buxhetin.
Deputetët e VV-së po ashtu nuk morën pjesë fare në votim për ta trajtuar ligjin për buxhetin.
Seanca e jashtëzakonshme për rishikimin e buxhetit megjithatë po vazhdon dhe deputetët janë duke diskutuar mbi amandamentet propozuara.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka reaguar nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për rishikimin e buxhetit.
Nagavci në fjalën e saj tha se situata me koronavirusin është alarmante. Ndërsa, Gashi iu drejtua duke i thënë se kjo çështje nuk është në rend të ditës, pavarësisht sa i arsyeshëm dhe emocional mund të jetë.
“Ke komplet jashtë rendit të ditës, ne e kemi rendin e ditës se çfarë do të diskutojmë. Sado që mund të jetë i arsyeshëm dhe emocional, është komplet jashtë rendit të ditës dhe nuk mund ta mbajë atë diskutim”, tha Gashi.
Ndërsa, Gashi kërkoi që të respektohet rendi i ditës.
Nagavci mban fjalim për pandeminë në seancën për buxhetin, nxit reagimin e LDK-së
Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci në seancën e sotme ka folur për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Hoti.
“Është e pakuptimtë se ku është kryeministri Hoti sot kur nuk është në këtë seancë të cilën e ka thirrur vetë, e që deklaron se çështja është emergjente. Sot nuk di cila është me rëndësishme se shëndeti publik dhe gjendja me të cilën po ballafaqohemi çdo ditë duke shkuar drejt një katastrofe humanitare”, ka thënë Nagavci.
“Gjendja është alarmante e shqetësuese është momenti i fundit që të kemi veprime shumë profesioniste dhe njerëzore. Ajo për të cilën jemi dëshmitarë të gjithë është se shumica e të dyshuarve jo vetëm që nuk po trajtohen po nuk po kanë mundësi as që të testohen. Sjellja e Qeverisë nuk është aspak në nivel të seriozitetit dhe përgjegjësisë, për më pak se dy muaj kaluam në numrin e vendit më të lartë me viktima.
Gjatë fjalimit të Nagavcit deputetët e Kuvendit kanë bërë zhurmë duke mos dëgjuar atë që po fliste Nagavci si dhe duke i rrahur tavolinat.
“Mos bërtitni po shqyrtojeni rastin së paku”, ka thënë ajo.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga deputetët që të mbajnë qetësi deri sa Nagavci po kryente fjalimin.
Nis seanca për rishikimin e buxhetit, Bajrami në emër të Hotit kërkon votën e deputetëve
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me një pikë të vetme të rendit të ditës.
Në këtë seancë do të votohet për rishikimin e buxhetit.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020”, është pika e vetme e rendit të ditës.
Menjëherë pas nisjes së seancës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga deputetët që të respektojnë masat për mbrojte nga pandemia.
“Të gjithë ata që kanë simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi. Nëse keni qenë rast kontakti duhet të izoloheni për 14 ditë”, tha Osmani.
“Më lejoni që të pyes nëse dikush nga Qeveria është i autorizuar që në emër të kryeministrit të bëjë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme”, tha kryeparlamentarja.
Në emër të Qeverisë ka folur Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami. Ajo ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro rishikimit të buxhetit.
“Jam e autorizuar nga kryeministri që të jap arsyetimin për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Me që komisionet e kanë kryer punën me rishikim të buxhetit, të votohet sot buxheti në mënyrë që të mund të vazhdojmë me implementimin e masave.
Kërkoj mirëkuptimin e juaj për rishikimin e këtij buxheti”, tha Bajrami.
Nis seanca e jashtëzakonshme për rishikim të buxhetit
Sapo ka filluar seanca e jashtëzakonshme për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.
Nga kjo seanca varet se a do t’i marrin qytetarët e Kosovës 170 eurot nga Pako Fiskale Emergjente.
Megjithëse pritet që të ketë diskutime, rishikimi i buxhetit mund të kalojë me votat e PDK-së që ashtu si në lexim të parë, mund të mbështesë rishikimin e buxhetit edhe në lexim të dytë.