fbpx

Pse është mirë të bisedosh me vetveten – sekreti i vogël i mendjes së qetë

nga Revista Kosovarja

Ekspertët konsiderojnë që çdo personi i është e domosdoshme “biseda me vetveten” dhe vendosja e monologut të brendshëm

A keni kapur ndonjëherë veten duke folur me zë, vetëm? Mos u frikësoni, përkundrazi, bëjeni më shpesh! Sipas ekspertëve, biseda me vetveten nuk është shenjë çrregullimi, por një mënyrë natyrale për të sqaruar mendimet, për të kuptuar më mirë emocionet dhe për të ndërtuar besimin në vetvete.

Psikoterapeutja dhe autorja e njohur Lisa Ferenc thekson se monologu i brendshëm ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale dhe vetëdijen tonë. “Nuk ka asgjë më të rëndësishme se mënyra se si flasim me veten. Ajo që i themi vetes formëson mënyrën se si e shohim botën,” shpjegon Ferenc.

Nëse dita ju fillon me fraza negative, mendime vetëkritike dhe vetëdyshim, mundësia për të përjetuar momente pozitive zvogëlohet. Për këtë arsye, Ferenc këshillon që të ndërtojmë një monolog të brendshëm më të butë, më të kuptueshëm dhe motivues, transmeton Telegrafi.

Një nga ushtrimet që ajo u sugjeron pacientëve është ky: shkruani gjërat që pëlqeni te vetja, arsyet për të cilat ndiheni mirënjohës dhe cilësitë që ju dallojnë për mirë. Pastaj qëndroni para pasqyrës dhe thoni ato me zë të lartë. Edhe nëse ju duket qesharake në fillim, mos hiqni dorë. Studime të fundit kanë treguar se studentët që kanë praktikuar këtë teknikë kanë arritur të ndryshojnë perspektivën, qëndrimin dhe madje edhe marrëdhëniet me të tjerët.

Shumë sportistë profesionistë flasin me veten para garave dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë. Përcjellja e mendimeve pozitive me zë ju jep forcë për t’u përballur me sfidat dhe për të përballuar presionin e përditshëm.

Megjithatë, Ferenc paralajmëron: të pëshpëritni mendime negative me zë mund t’i forcojë ato edhe më shumë. Prandaj, kur bisedoni me veten, bëjeni këtë me fjalë të mira, të vërteta dhe që ju motivojnë. Për ta bërë më të lehtë: mendoni sikur po i flisni një miku tuaj më të mirë.

Në fund të ditës, mënyra se si flisni me veten është pikënisja se si flisni me botën. Dhe çdo fjalë ka peshë!

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]