Zonja magjistare, jetojmë në Perëndim qe 23 vjet. Gjendjen materiale e kemi mirë. Jemi në moshën 48 dhe 50 vjet. Kemi ndihmuar shumë familjen në Kosovë, por edhe të afërmit tjerë.
Fëmijët janë rritur, por ju mungon vetëbesimi dhe nuk janë të kënaqur me këtë çka kanë. Dy vajzat e mëdha kanë mbaruar fakultetin dhe kanë gjetur fatet e tyre.
Vajza e tretë studion, ndërsa djali punon. E ka pas gjetur edhe fatin e jetës, por papritmas u ndanë. Kohëve të fundit edhe ne, bashkëshortët, irritohemi shpejt në njëri-tjetrin dhe ngacmohemi për gjëra të parëndësishme!
A kemi të keqe në shtëpi, apo?
“D. B.”
Përgjigje:
Koha prej 23 vjetësh në Perëndim u ka bërë që gjysmën e jetës ta keni kaluar atje.
Fëmijët janë edukuar dhe rritur atje. Janë shkolluar. Por, ana psikologjike e familjes është në dy pole për ju prindërit, ndërsa fëmijët kanë tjetër sistem.
Pra, keni një sistem dypolësh të jetës. Ju tani jeni në fazën kur duhet të shkoni pas fëmijëve dhe t’i hidhni sytë kah ta, ndërsa jo gjithçka shkon sipas dëshirës suaj.
E, shkaku që nuk ju ecë çdo gjë sipas dëshirës, ju ngacmoheni! Shpesh u duket se pala tjetër mban më shumë përgjegjësi që familja nuk ka shkua tërësisht kah keni dashur.
Mbillni më shumë tolerancë dhe bëhuni më racional që ta kuptoni jetën, duke ditur se jeta i ka dy anë të medaljonit:
Të bardhën dhe të zezën. Të mirën dhe të keqen. Gëzimin dhe hidhërimin. Lumturinë dhe dëshpërimin.
Njeriu duhet t’i pranojë të gjitha këto si të pamohueshme. Sepse, jeta i ka valët që shpesh nuk mund të komandohen, sepse ka gjëra që janë pjesë e kohës dhe shoqërisë globale.