Autopsia ka zbuluar shkaqet e vdekjes së aktorit të njohur të Hollivudit, Gene Hackman, fitues i dy çmimeve Oscar. Hackman, 95 vjeç, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Kaliforni, së bashku me bashkëshorten e tij, Betsy Hackman, e cila gjithashtu kishte ndërruar jetë. Raporti zbuloi se aktori ka ndërruar jetë një javë pas vdekjes së gruas së tij.
Sipas mjekes ligjore të Nju Meksikos, Heather Jarrel shkaku i vdekjes së Gene Hackman është sëmundja kardiovaskulare hipertensive dhe aterosklerotike, ndërkohë që sëmundja e Alzheimerit ka kontribuar ndjeshëm në shëndetin e tij të dobësuar. Po ashtu, ekzaminuesja mjekësore bëri publik dhe shkakun e vdekjes së gruas së tij, Betsy Hackman.
Sipas mjekes 65 vjeçarja ishte e infektuar nga hantavirusi dhe kishte shfaqur përkeqësim të mushkrive. Vdekja e saj u përcaktua si natyrale.
Trupat e dy të ndjerëve u gjetën më 26 shkurt në shtëpinë e tyre në Neë Mexico. Ekspertët mjekësorë konfirmuan se nuk kishte asnjë shenjë traume ose helmimi nga monoksidi i karbonit, çka kishte qenë një sugjerim fillestar.
Hantavirusi është një virus që shkakton simptoma të ngjashme me gripin, si ethe, dhimbje, kollë, dhe mund të përparojë në gulçim, dështim të zemrës dhe të mushkërive. Ai transmetohet përmes kontaktit me brejtësit ose jashtëqitjet e tyre dhe nuk përhapet nga njeriu në njeri.
Nga analiza e stimuluesit kardiak të Hackman, u konstatua se ai kishte ndërruar jetë më herët, rreth datës 18 shkurt. Hetuesit besojnë se gruaja e tij, Betsy, mund të ketë ndërruar jetë e para, rreth datës 11 shkurt. Ajo u gjet e vdekur në banjë, dhe Hackman, për shkak të sëmundjes së tij neurodegjenerative, mund të mos e ketë kuptuar këtë.
Gene Hackman, një nga aktorët më të shquar të Hollivudit, është i njohur për rolet e tij të paharrueshme, veçanërisht për rolin e polici Jimmy “Popeye” Doyle në filmin “The French Connection” (1971), për të cilin fitoi një çmim Oscar. Ai gjithashtu fitoi një tjetër Oscar për aktorin më të mirë dytësor për portretizimin e sheriffit brutal në “Unforgiven” (1992).