fbpx

Qeveria Kurti 2 paralajmëron kthimin e reciprocitetit me Serbinë

nga Revista Kosovarja

Çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh, ishte zotuar për kthimin e reciprocitet me Serbinë, Kryeministri Albin Kurti, dy ditë para se të fitonte zgjedhjet e 14 shkurtit.

E 21 ditë pasi e ka marrë për herë të dytë në drejtim ekzekutivit, Qeveria e Albin Kurtit po paralajmëron serish se së shpejti do t’i kthejë në fuqi masat e reciprocitetit me shtetin serb.

Kështu të paktën paralajmëron Zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, kjo pasi “reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera”.

Por shton se masat e tilla nuk do të vlejnë vetëm për Serbinë, por edhe për secilin shtet që vepron njëanshëm më Kosovën.

“Është obligim i qeverisë dhe kryeministrit Kurtit që të mbrojë qytetarët e republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprocitetit me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”, tha Kryeziu të hënën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

Tutje, ai kujton se si para një viti kishte ardhur Qeveria Kurti deri te ky vendim.

“Me 31 Mars 2020, pra një muaj e gjysmë apo 57 ditë pas zgjedhjes e pas pranimit të detyrës së kryeministrit në mandatin e parë, në mbledhjen e qeverisë kemi marrë vendimin 01/20 “Për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë”. Sot jemi në ditën e 21 të qeverisjes në mandatin e dytë”, shton Kryeziu.

Heqja e masave të reciprocitetit me Serbinë ishte bërë nga Qeveria Hoti, si një nga vendimet e saj të para të qeverisjes disa mujore të koalicionit qeverisës LDK-AAK e NISMA, mandati i të cilës u ndërpre nga Gjykata Kushtetuese, dhjetorin e vitit të shkuar, për të pasuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, Albin Kurti, në debatin e tij të fundit televiziv, dhe i vetmi gjatë gjithë fushatës zgjedhore, paralajmëroi kthimin e reciprociteti me Serbinë, si një nga vendimet e para të tij.

“Është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, kishte deklaruar Kurti më 12 shkurt 2021.

Derisa shtonte se Dialogu me Serbinë, që shkas i ndërprerjes së tij ishte bërë taksa 100% e ish-Kryeministrit Haradinaj e më pas reciprociteti i Kurtit, nuk do të jetë as prioritet i qeverisë Kurti 2.

Ndërkohë që sot Kryeministri Kurti ka njoftuar se gjatë vikendit, bashkë me kabinetin Qeverisës ka zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes, por pa e përmendur përfshirjen e kësaj çështje në këtë program.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]