fbpx

Rastet sociale dhe disa familje të kategorive të luftës vazhdojnë të presin strehë

nga Revista Kosovarja

Më shumë se 7 vjet, shumë familje në gjendje të rëndë ekonomike, ato të kategorive të dala nga lufta, presin që të kenë një banesë në ndërtesat e filluara por që ende nuk kanë papërfunduar dhe janë dëmtuar në lagjen Petrovë të Prizrenit.

Puna në këto ndërtesa u ndërpre në vitin 2021, ndërsa as këtë vit institucionet lokale nuk e kanë paraparë përfundimin e tyre.

Këto godina që filluan të ndërtoheshin mbi 7 vjet më parë ishin të dedikuara për rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta. Dy nga to kanë përfunduar dhe familjet janë akomoduar, por jo edhe 30 familje të tjera që ishin paraparë të strehoheshin këtu.

Kjo kategori e familjeve nuk dëshirojnë të prononcohen , pasi thonë se janë lodhur me kërkesa për strehim.

Ndërkaq, sekretari i organizatës së veteranëve të luftës po hon se strehë banimi nuk mundën të gëzojnë edhe të tjerë.

“Kemi shumë veteran , por edhe familje të dëshmorëve , invalid , të cilët nuk i kanë marrë këto banesa , ndërsa presin dita ditës për ti marrë . Kemi rastet që edhe i kanë marrë , por nuk mund ti gëzojnë , pasi që shumica kanë vdekur , siç mund ta ceki , luftëtaren e ndjerë Fatime Ademaj , vitin e kaluar ka vdekur edhe Mehmetali Shkreta , i cili nga Maqedonia ka ardhur në luftën e Kosovës, kemi Shefit Mazrekun i cili po ashtu është veteran i luftës i cili bredh në shtëpia në rastet sociale “, tha Isa Berisha nga OVL e UÇK-së.

Ish-drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverisjen e kaluar thotë se në kohën e tij kontrata me operatorin u ndërpre, por komuna nuk e ka paraparë përfundimin e tyre as këtë vit.

“Në qeverisjen e zotit Haskuka , aty kanë arritur të përfundohen dy kulla , ndërsa kulla e tretë dhe e katërt kanë shkëputje kontratash nga operatorët ekonomik për papërgjegjësinë e tyre …. Ato tash janë në një nivel të ndërtimit , ku në kullën e tretë janë përfunduar pothuajse 80 % të punimeve , ndërsa kulla e katërt ka më shumë se gjysma e punimeve që duhet të përfundohet . Për mua është shqetësuese se 30 familje presin që të vendosen tash e 7 vite në ato banesa dhe të bëhet një hap i tillë është e papranueshme”, tha Islam Thaqi – Ish drejtori i punës dhe mirëqenies sociale.

Ndërkaq, drejtori i tanishëm i Punës dhe Mirëqenies sociale, Edmond Hoxha, e konfirmon se këtë vit nuk mund të punohet në këtë projekt.

” E konfirmojmë që gjatë këtij viti , nuk është e paraparë që të punohet në këtë drejtim , por e kemi vullnetin e plotë që si komunë e Prizrenit , ky projekt të vazhdohet , ky projekt nuk do të ngecë mbrapa , sapo të fillojmë planifikimin e buxhetit të vitit 2024 , ky projekt do të trajtohet dhe të futet në buxhet në mënyrë që të përfundojnë punimet “, tha ai për RTK.

Në shtator 2021 iu ndërpre kontrata operatorit ekonomik për kullën e tretë, ndërsa në kullën e katërt punimet i ndërprenë në maj 2021. Rreth 300 mijë euro ishin planifikuar për përfundimin e ndërtimit për një kullë në lagjen Petrovë të Prizrenit.

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga stafi i Revistës Kosovarja
Adresa: Rruga: “Ali Hadri”-nr.16 Prishtinë, Kosovë
REDAKSIA: +38344143448; Email: [email protected]