Reperi amerikan Silentó, i njohur për hitin viral të vitit 2015 “Watch Me (Whip/Nae Nae)”, është dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e kushëririt të tij, Frederick Rooks, në një ngjarje të ndodhur në janar të vitit 2021 në Georgia, SHBA.
Emri i vërtetë i reperit është Ricky Lamar Hawk. Ai u paraqit para gjykatës në Qarkun DeKalb më 12 qershor 2025 dhe u deklarua fajtor, duke pranuar një marrëveshje me prokurorinë për një akuzë të reduktuar për vrasje me dashje, si dhe për sulm të rëndë, posedim armë gjatë kryerjes së një krimi, dhe fshehje të një vdekjeje. Si pjesë e marrëveshjes, akuza fillestare për vrasje të rëndë u tërhoq.
Frederick Rooks, 34 vjeç, u gjet i qëlluar për vdekje me armë zjarri më 21 janar 2021. Silentó u arrestua disa ditë më pas dhe që atëherë ka qëndruar në paraburgim. Ai do ta vuajë dënimin duke përfshirë edhe kohën e kaluar në burg që nga ajo kohë.
Përfaqësuesja e artistit, Chanel Hudson, kishte deklaruar më parë se reperi po përballej me probleme të rënda të shëndetit mendor, duke kërkuar mirëkuptim dhe lutje nga publiku për të dhe familjen e tij.
Ky nuk ishte incidenti i vetëm ligjor për Silentón. Në vitin 2020, ai ishte arrestuar disa herë për dhunë në familje, sulm me armë, dhe shpejtësi tej normave të lejuara.
Kënga e tij debutuese “Watch Me (Whip/Nae Nae)” arriti pozitën e tretë në Billboard Hot 100 dhe numëron mbi 1.9 miliardë shikime në YouTube, duke e kthyer në një nga fenomenet virale të dekadës së kaluar.